Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, prezantuan pasditen e sotme paketën fiskale 2022 për biznesin e vogël. Kreu i qeverisë tha se bizneset e vogla do të kenë zero tatim mbi fitimin, ndërsa shtoi se më parë ishin 60 mijë biznese të vogla dhe tatoheshin 10 për qind, ndërsa sot bizneset e vogla janë 110 mijë dhe tatohen zero. Ndërsa ministrja Ibrahimaj u shpreh se ka një fond prej 250 mln lekë për start up-e.
Kryeministri deklaroi se edhe pse ishin 60 mijë, gjatë periudhës 2006-2013 kanë paguar 19 miliardë lekë tatime, ndërsa nga 2014 në vitin 2021 duke qenë 110 mijë biznese, kanë paguar vetëm 5.7 miliardë tatime, pra tre herë më pak.
“Dua të sjell disa shifra, që është njëra shumë kuptimplotë për të pasur pamjen e situatës ku ndodhemi duke u nisur nga ku e ndërmorëm këtë përpjekje në krye të herës, bizneset ishin 60 mijë dhe tatoheshin 10 për qind, sot bizneset e vogla janë 110 mijë dhe tatohen zero. Kjo vlen edhe për t’ju thënë të gjithë atyre që flasin për mbyllje, falimentime, shkatërrime, dhe në radhë të parë të atyre që bien pre e kësaj propagande se në terrenin e fakteve dhe shifrave, biznesi i vogël është forca më e përkrahur dhe më e mbështetur nga qeveritë tona. Tjetra që është prap domethënëse, edhe pse ishin 60 mijë, gjatë periudhës 2006-2013 kanë paguar 19 miliardë lekë tatime. Nga 2014 në 2021 duke qenë 110 mijë kanë paguar vetëm 5.7 miliardë tatime, pra tre herë më pak. Diferenca nuk ka ikur në lumë, diferenca ka hyrë në familjet e këtyre sipërmarrësve të vegjël, bëhet fjalë për një diferencë jo të vogël, por për një diferencë 133 milionë dollarë. Më tutje, sot ne kemi shifrën tjetër të rëndësishme për rimarrjen e gjithë ritmit nga biznesi i vogël pas mbylljes dramatike nga pandemia dhe faktikisht në tetor 2021 kur është bërë edhe numërimi më i fundit, janë 2400 biznese të vogla më shumë se sa përpara mbylljes nga pandemia. 67 për qind e bizneseve të vogla janë me certifikatë elektronike, dhe 30 për qind e bizneseve të vogla që lëshojnë faturë fiskale.”-tha Rama.
Ndërkohë Rama ka zbuluar një skemë bashkëpunimi që do të ketë mes qeverisë dhe bizneseve për të gjithë ata persona që janë me ndihmë ekonomike. Sipas Ramës nëse një person me ndihmë ekonomike do të punësohet nga një biznes dhe do të marrë një pagë minimale 320 mijë lekë, qeveria do të paguajë një vlerë aq sa është ndihma ekonomike ndërsa pjesa tjetër e pagës minimale do të paguhet nga biznesi që ka ofruar punën.
“Po punojmë për një skemë bashkëpunimi me biznesin. Por është ende herët. Duam të ndërlidhim biznesin e vogël dhe pse jo të madhin me ndihmë ekonomike për të punësuar njerëz në ndihmë ekonomike. Duke i kaluar si pjesë të pagës ndihmë ekonomike. Një pagë minimale 320 mijë lekë një pjesë e pagës që janë me ndihmë ekonomike e paguajmë ne dhe pjesën tjetër e paguan biznesi. Kjo është mënyra më e mirë për të stimuluar të dyja palët. Edhe hapje të vendeve të punës dhe marrjen në punë të njerëzve në nevojë dhe atyre për të dalë nga ndihma ekonomike për të mbajtur frymën gjallë. Më të rinjtë në familjet në ndihmë ekonomike, pjesa e tyre mund të kthehen në gjeneratorë të të ardhurave. Deri sot kemi pagë pa taksë 300 mijë lekë. Minimumin, por me paketën e re paga e pataksuar shkon deri në 400 mijë. Është një stimul.
Sot, edhe kamarierë, në një numër të konsiderueshëm strukturash, nuk mund të hysh si dikur, nga rruga. Duhet një trajnim, sado modest, sado i shkurtër e jo më për disa profile të tjera, në ndërmarrje apo ndërmarrje të vogla që janë me ende pak më shumë nevojë për kualifikim.
Për këtë arsye, ne kemi vendosur një buxhet që përsëri do duhet të organizohet së bashku me biznesin, duke ua dhënë mbështetjen biznesit drejtpërdrejtë, në bazë të kërkesave të veta dhe duke e përdorur fuqinë mbështetëse të biznesit për të identifikuar njerëzit dhe për t’i sjellë ata drejt vendit të punës. Që do të thotë që skema me Zyrat e Punës, kështu siç është, ka nevojë për një rishikim sot sepse është pasive. Ndërkohë që, në rast se Agjensia do marrë nga bizneset nevojat dhe bizneset do paraqiten me emra kandidatësh për vendet e tyre të punës, por që kanë nevojë për kualifikim, atëherë mbështetja me kualifikim do bëhet drejtpërdrejtë pranë biznesit. ” tha Rama.
Ndërsa ministrja Ibrahimaj u shpreh ka ka një fond prej 250 milionë lekë për start up-e, e teksa tha se ka 7 programe punësimi shtoi se çdo i ri deri në moshën 29-vjeç do të mbështet me punësim, formim, praktikë ose arsimim.
“Programe interesante të nxitjes së punësimit, 7 programe synohen të nxiten rreth 5 mijë individë, që të hapin biznese të tyre. 250 mln lekë fonde për start up-e, fond të veçantë për garancinë rinore, ku çdo i rini në 29 vjec, që do mbështet me punësim, formim, praktikë ose arsimim”, tha Ibrahimaj.