KOSOVË- Ngjarja e rëndë e regjistruar mbrëmjen e djeshme në Kosovë ka tronditur opinion publik në mbarë vendin. Tre persona mbetën të varë si pasojë e një sulmi me kallashnikov drejt një autobusi në Gjollan të Deçanit.Viktima mbetën dy nxënësit Ledion Hamzaj, 16 vjeç dhe Gentiana Mustafaj, 17 vjeç si edhe shoferi i autobusit Gani Gjokaj. Një person tjetër mbeti i plagosur por ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Mediat kosovare shkruajnë se nxënësit po ktheheshin nga shkolla dhe këtë rrugë ata e bënin çdo ditë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmetaj, ka dhënë detaje të reja për ngjarjen, ku theksoi se po hetohet në dy-tre pista. Ndërkohë, në të gjithë vendin po zhvillohen aksione për të bërë të mundur identifikimin e autorit dhe kapjen e tij.
“Të gjitha njësitet relevante janë këtu. Aktualisht i kemi dy ose tri pista në të cilat jemi duke punuar. Fatkeqësisht nuk mund të japim detaje sepse në pistat në të cilat po punojmë janë në fazë. Jemi duke punuar në dy ose tri drejtime, ku i kemi dyshimet me bazë të caktuar por është herët të themi se kemi persona të dyshimtë”, tha Mehmeti.
Mehmeti shtoi se territorit i është bërë kontroll me qentë e policisë, por për shkak të reshjeve të shiut ka qenë e pamundur që të zbulohet diçka.
“Akutalisht kemi njësi të mjaftueshme, por në situata të tilla si kjo me shi, qentë nuk arrijnë ta nuhasin erën e armës apo diçka tjetër”, ka thënë ai.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla i ka bërë thirrje vrasësit të shoferit të autobusit dhe dy nxënësve mbrëmjen e kaluar në Gllogjan, që të dorëzohet sa më parë. Sakaq, në një konferencë për media ai i ka bërë thirrje qytetarëve që kushdo që ka informacione për krimin që ka ndodhur mbrëmë, të bashkëpunojë me policinë për të zbardhur ngjarjen.
Zëvendësdrejtori i Policisë Rajonale të Pejës, Veton Elshani tha mbrëmjen e djeshme se autori ka qenë i vetëm, ndërsa përjashtoi mundësinë e një akti terrorist. Ndërsa gazetari nga Kosova Valon Bajrami pohoi për Report Tv se një pistë hetimi mund të jetë edhe konflikti i shoferit me shoferët e linjave të tjera.
Ngjarja ndodhi rreth orës 19:00 ku 8 persona ndodheshin në autobus i cili nga Gjakova po shkonte në drejtim të Deçanit, teksa një person u ka prerë rrugën duke qëlluar me breshëri kallashnikovë në drejtim të tyre. Shoferi i autobusit ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa dy nxënësit pasi mbërritën në spital.