Sot shteti shqiptar i heq një njollë të madhe të zezë vetes. Më në fund burgu-spital i Zaharisë do të mbyllet. Sot ka nisur transferimi i personave me masë shëndetësore nga Zaharia në drejtim të burgut të Shën Kollit, ku dy blloqe janë rikonstruktuar dhe përshtatur për 319 pacientët.
Burgu i Zaharisë në Krujë, që ndodhet vetëm 15 kilometra larg Tiranës, pa frikë mund të konsiderohet si burgu-ferr. Të dënuarit e izoluarit në qelitë e godinës thuajse të rrënuar, janë të sëmurë të shëndetit mendor, para apo tetraplegjikë si dhe të moshuar mbi 65 vjeç.
Ministri i Drejtësisë z. Ulsi Manja ka inspektuar sërish sot në mëngjes ambientet ku do të akomodohen pacientët e Zaharisë, duke parë nga afër kushtet dhe masat e marra.
Sipas z.Manja qëndrimi i këtyre personave në këto ambiente do të jetë një fazë kalimtare, derisa ata të merren përfundimisht nën përkujdesje nga Ministria e Shëndetësisë në një institucion totalisht të përshtatur për problematikat e këtyre personave.
“Premtuam që Zaharia do mbyllej brenda nëntorit dhe e mbajtëm. Është ditë e bukur, pavarësisht shiut. Falënderoj të gjitha stafet e angazhuara, sidomos ato të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të IEVP Zahari dhe IEVP Shën Koll për angazhimin e tyre fizik e human edhe në ditët e pushimit, në trajtimin dhe sistemimin e këtyre personave në ambientet e rikonstruktuara të Lezhës”, ka thënë z.Manja.
Të sëmurët mendorë që bëjnë krime duhet të izoloheshin në një spital ligjor, por mungesa e një institucioni të tillë, bëri që ato të mbylleshin në Burgun e Zaharisë, për më shumë se 2 dekada, por fatmirësisht nga nesër ai nuk do rë ekzistojë më.
Burgu i Zaharisë ka qenë historikisht një njollë e zezë në të gjitha raportet e ndërkombëtarëve për të drejtat e njeriut në Shqipëri. Gjithashtu ka një vendim të Gjykatës së Lartë në vend që e konsideron trajtim çnjerëzor atë që ka ndodhur në Zahari. Burgu i Zaharisë në Krujë, që ndodhet vetëm 15 kilometra larg Tiranës, pa frikë mund të konsiderohet si burgu-ferr. Jo pak, por 230 të dënuar të izoluar në këtë burg, janë lënë të mëshirë të fatit, të braktisur nga familjet, shoqëria, shteti, por edhe gjeografia.