ELBASAN- Kryeministri Edi Rama u ndal në qytetin e Elbasanit ku zhvilloi takimin e parë për “Bashkëqeverisjen”, nismë që nuk është ende ligj, edhe pas miratimit të parë në Parlament. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë u shpreh se brenda vitit 2022, qytetarët nuk do t’i marrin shërbimet në sportele, por nëpërmjet platformave online. Gjithashtu, Rama sqaroi se si do të funksionojë sistemi i ri, duke paralajmëruar edhe sanksione për të gjithë ata që nuk zbatojnë afatet e vendosura.
Sipas tij, në rast se qytetari nuk do të marrë një përgjigje brenda afatit për dokumentin që kërkon, atëherë për punonjësit e administratës do të ketë edhe sanksione por nuk bëri me dije se për çfarë bëhej fjalë.
Për numrin një të qeverisë, ‘Bashkëqeverisja’ është një mekanizëm i ri detyrues ligjor, që u jep qytetarëve akses të plotë në shërbimet administrative përmes celularit apo kompjuterit, duke i dhënë fund në të njëjtën kohë mikut, lekut dhe radhëve. Por pikërisht ky ligj që sot Rama e prezantoi me qytetarët, në fakt është kundërshtuar nga palët e tjera politike.
Lëvizja Socialiste për Integrim e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese, pasi për ta ngritja e kësaj strukture spiunimi, tregon se shteti ka rënë dhe korrupsioni ka dalë jashtë kontrollit. PD po ashtu akuzon se me këtë ligj objektiv vjedhja e të dhënave të shqiptarëve. Ndërsa nga ana tjetër, presidenti Meta e ka kthyer ligjin pas për rishqyrtim, megjithatë Rama vazhdon dhe këmbëngul se ky ligj do të kalojë pa asnjë ndryshim në Kuvend.