FIER- Pas ngjarjes tragjike ditën e djeshme në Fier, ku një 3-vjeçar dyshohet se u mbyt aksidentalisht në kopshtin privat, policia ka arrestuar edukatoren Redina Binjaku, 27 vjeçe. Binjaku punonte në kopshtin privat “Flatrat e dijes” në lagjen Sheq i Vogël ku humbi jetën vogëlushi 3 vjeçar.
Burime nga policia bënë me dije se 3-vjeçari ka tentuar të marrë çantën dhe i ka ngecur kapuçi i xhupit në varëse e për pasojë është mbytur.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, arrestuan shtetasen R. B., 27 vjeçe, banuese në Fier, pasi në kopshtin privat ku punon si edukatore, ka humbur jetën aksidentalisht fëmija i mitur 3 vjeç, i cili duhej të ishte nën mbikëqyrjen e kësaj shtetaseje”, njofton policia.
Ngjarja e rëndë u regjistrua ditën e premte, 8 janar rreth orës 13:00 në kopshtin privat “Flatrat e dijes” në lagjen Sheq i Vogël të qytetit të Fierit. Nga hetimet paraprake dyshohet se i fëmija me mbiemër Kodheli humbi jetën aksidentalisht. Gjatë dëshmisë në polici, edukatorja ka deklaruar se fëmija ka mbetur i varur tek varësja e rrobave.
Trupi i pajetë është dërguar në morg ku pritet të kryhet ekspertiza mjeko-ligjore, ndërsa janë shoqëruar dhe drejtues të kopshtit privat.