Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri paraqitet sot në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit. Ishte pikërisht Gjykata e Posaçme që riktheu për rishqyrtim dosjen e ish-ministrit Tahiri, pasi konstatoi parregullsi në proces.
GJKKO vendosi rinisjen e procesit që më 20 dhjetor 2021, por gjyqi u shty dy herë, për shkak të dorëheqjes së gjyqtarëve të çështjes. Kështu që u vendos që çështja në fjalë të gjykohet nga gjykatës të marrë hua nga Apelet e tjera. Në vend të Daniela Shirkës, e treta që u dorëhoq nga çështja, është deleguar gjyqtari Florian Kalaja, nga Apeli i Durrësit. Më herët duhet theksuar se janë larguar me dorëheqje nga kjo çështje gjyqtarët Miliana Muça dhe Ilirjana Olldashi.
Kujtojmë se ish-ministri Tahiri u vu nën shënjestrën e organeve të drejtësisë në tetor të vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj, të afërm të Tahirit.