Nëpërmjet 8 deputetëve, Partia Demokratike i ka kërkuar zyrtarisht Komisionit të Ligjeve mbajtjen e një seance dëgjimore për shembjet e banesave te zona e “5 Majit”. PD kërkon që në këtë seancë të thirret kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, Drejtori i IMT, kryepolici Gledis Nano, Avokati i Popullit Erinda Ballanca si dhe banorë të prekur nga projekti.
Po ashtu, PD kërkon që seanca të mbahet të enjten në orën 11.00 ku të paraqiten edhe dokumentet e plota për projektin dhe veprimtarinë e institucioneve mbi pronën e qytetarëve.
Sipas selisë blu, mbledhja është urgjente, pasi prek të drejtën themelore të pronës.
Më herët gjatë ditës së sotme, shembja e 7 banesave (nga 430 në total) që preken nga projekti i rindërtimit në zonën e ‘5 Majit’ në Tiranë u shoqërua me tensione mes banorëve dhe Policisë. Banorët bënë rezistencë, duke pretenduar se shembja e banesave është kundër ligjit dhe se ato nuk kanë bërë asnjë marrëveshje me Bashkinë e Tiranës sa i përket bonusit të qirave.
Nga ana tjetër, nënkryetari i bashkisë së Tiranë, Arbian Mazniku, tha në një intervistë se banorët i kanë marrëveshjet e gatshme me bashkinë dhe se do të shpronësohen me metër për metër si në truall ashtu edhe në banesë. Banorët e njësisë administrative numër 4 dhe numër 8 që preken nga ky plan, do të strehohen më tej në një bllok pallatesh që ndërtohet po te “5 Maji” e ku do të bashkëjetojnë edhe banorë, shtëpitë e të cilëve kanë pësuar dëme nga tërmeti i 26 nëntorit, por edhe ata që i kap plani zhvillimor.
Ndërkohë, shumica e banorëve që janë prekur nga projekti i lagjes së re te “5 Maji” janë dakordësuar dhe kanë filluar nënshkrimin e marrëveshjeve me Bashkinë e Tiranës për t’u pajisur me shtëpi, sipas VKM-së së miratuar nga qeveria në shtator të 2021, nëpërmjet procesit të kompensimit përmes shkëmbimit.
Sipas VKM-së së miratuar nga qeveria në shtator të 2021, sigurohet se të gjithë banorët që preken nga ky projekt do të përfitojnë kompensim të plotë, nëpërmjet shkëmbimit të pronës së tyre me objektet e reja që do të ndërtohen në lagjen e re. Po kështu, poseduesit e banesave në proces legalizimi, tashmë do të përfitojnë të njëjtën sipërfaqe në metra katrorë, në godinat e reja që po ngrihen në të njëjtën zonë.