Komisioni i Rithemelimit i krijuar nga Sali Berisha, ka zhvilluar sot primaret në të gjashta bashkitë ku do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme vendore, Durrës, Vorë, Rrogozhinë, Shkodër, Dibër, Lushnjë ku anëtarët e degëve votuan për kandidatin e preferuar.
Votimi ka nisur që në orën 08:00 në 9 Qendrat e Votimit, në 6 bashkitë ku do të mbahen zgjedhjet e pjesshme, dhe ka zgjatur deri në orët e pasdites. Ndërkohë ka nisur edhe numërimi i votave për kanididatë, duke mos ofruar asnjë lloj tranparence, pasi po zhvillohet pa prezencën e mediave. Kandidatët e Berishës për bashkinë e Vorë është zgjedhur Lulzim Vrana; Për bashkinë Dibër zgjidhet Premtim Kryemadhi; Për bashkinë Durrës kandidat i Berishës për zgjedhjet e 6 marsit është Ardian Muka.
E teksa Sali Berisha nuk është regjistruar ende në zgjedhjet e pjesshme vendore, Arben Ristani, ndonëse nuk specifikoi se me cilën parti, theksoi se ata do të shkojnë drejt një koalicioni. Komisioni i Rithemelimit publikoi dje emrat e kandidatëve për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, teksa ftoi anëtarët e PD në degët Dibër, Durrës, Lushnjë, Rrogozhinë, Shkoder që sipas tyre të bëhen pjesë procesit të votimit në primare “si ushtrim i demokracisë, si proces përbashkues, për një Parti Demokratike më të fortë, më të bashkuar”.
Selia blu reagoi menjëherë ditën e djeshme nëpërmjet një deklarate, ku tha se as Berisha dhe as emrat që ai ka publikuar s’kanë lidhje me demokratët dhe Partinë Demokratike. Sipas PD me farsën e radhës, Berisha po përpiqet të dëmtojë PD për interesat e tij personale.
“Berisha mund të përdorë çdo njeri për hallin e ‘non gratës’ së tij, por as ai, dhe as ata nuk kanë më asnjë lidhje me Partinë Demokratike. Ky është përdorimi dhe mashtrimi i radhës që Sali Berisha u bën edhe atyre pak demokratëve që nuk e kanë kuptuar akoma hallin e tij”, thuhet në reagimin e PD.
Si paraqitet pjesëmarrja e anëtarëve të PD deri në këto momente në 6 bashkitë?
Bashkia Vorë- Fiton me 277 vota Lulzim Vrana, pre profesion ekonomist
Shkodër- Pjesëmarrja në Shkodër deri në këto momente është e lartë dhe interesi i demokratëve po ashtu. Një pjesë e anëtarëve janë përballur me mungesën e emrit të tyre në listën e anëtarëve, por siç raportoi dhe gazetari Ergys Kavaja u zgjidh vetëm disa momente më vonë. Radhët e mbështetësve të Berishës për të votuar janë të gjata.
Durrës- Në Durrës kanë marrë pjesë 1546 votues! 1162 votues kanë votuar kandidatin Ardian Muka, i cili është shpallur fitues. Silvja Gjepali mori 373 dhe 11 vota ishin të pavlefshme
Dibër- Rezultati për bashkinë Dibër, kanë marrë pjesë 713 votues, nga këta 424 Premtim Kryemadhi, 121 Dafina Muda dhe 158 Behar Dema, 10 vota kanë qenë të pavlefshme.
Lushnjë- Mbarëvajtja e procesit të votimit në Lushnjë paraqitet e qetë. Nga 1100 anëtarë të regjistruar, deri më tani kanë votuar 700 prej tyre.
Rrogozhinë- Procesi në Kukës deri në këto momente ka vijuar normalisht.
Kandidatët në primaret e Komisionit të Rithemelimit të Berishës
DIBËR: 1. Behar Baudin Dema, ekonomist; 2. Dafina Bajram Muda, psikologe; 3. Premtim Riza Kryemadhi, arsimtar.
DURRËS: 1. Ardian Mihal Muka, inxhinier urbanist; 2. Silvja Xhemal Gjepali, IT.
LUSHNJË: 1. Arben Ibrahim Zaimi, jurist – avokat; 2. Elton Ilir Bano, jurist – avokat; 3. Eurion Ylli Iljazi, arsimtar edukimi fizik; 4. Indrit Hysen Qerimi, arsimtar edukimi fizik.
RROGOZHINË: 1. Eqerem Ymer Deliu, ekonomist; 2. Hajrulla Muharrem Tafa, arsimtar; 3. Hekuran Selman Xhani, mjek veteriner; 4. Sokol Xhemal Gosa, arsimtar histori gjeografi; 5. Vladimir Selman Manushi, mjek dentist.
SHKODËR: 1. Alfred Ernest Kocobashi, jurist; 2. Arben Xhavid Maliqi, jurist; 3. Astrit Myfid Bushati, Jurist; 4. Bardh Ali Spahia, Mjek; 5. Irena Lodovik Shestani Shala, mjeke; 6. Irma Musa Kopliku Alushi, pedagoge matematike.
VORË: 1. Luan Gani Beta, Inxhinier; 2. Lulzim Sefer Vrana, Ekonomist.