Një i ri është ekzekutuar me armë zjarri në fshatin Babicë të Vlorës. Viktima, rreth 25 vjeç, identiteti i të cilit nuk bëhet ende me dije, u gjet i vdekur nga policia mëngjesin e sotëm, rreth orës 07: 35, në një makinë tip ‘Fiat Punto’ me targa TR 3437 R, në aksin Vlorë-Babicë.
Ai është qëlluar 3 herë, por një plumb e ka kapur në kokë, që i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme, ndërsa kanë qenë banorët e zonës ata që kanë gjetur fillimisht trupin e pajetë dhe më pas kanë njoftuar policinë.
I riu është ekzekutuar në një rrugë të thellë, ku nuk ka banesa afër, gjë që shton dyshimet e grupit hetimor se ai mund të jetë nxjerrë në pritë.
Nuk dihet se sa persona mund të kenë marrë pjesë në ekzekutim, por dyshohet se kanë qenë më shumë se 1 persona, pasi në zonë është shumë e vështirë të shkohet.
Nuk ka ende një pistë hetimi për ngjarjen, kjo edhe për faktin se viktima nuk është identifikuar ende dhe nuk dihet nëse ka qenë një person problematik që mund të ketë pasur lidhje me ngjarje të tjera kriminale, të ndodhura më parë në Vlorë.