Ylli Mihali, fizioterapisti i kombëtares shqiptare të futbollit ka ndërruar jetë si pasojë e COVID. Prej dy javësh i intubuar në spital, fizioterapisti i kombëtares shqiptare nuk ka arritur që të fitojë betejën me sëmundjen e rëndë. Ylli Mihali, 55-vjeç ishte pjesë e kombëtares shqiptare të futbollit prej 27 vitesh. Mihali ishte i vaksinuar me dy dozat e vaksinës ‘Pfizer’, ndërkohë që nuk dihet nëse ka pasur sëmundje të tjera.
Kreu i FSHF-së, Armand Duka në një shënim në mediat sociale shpreh ngushëllimet për largimin nga jeta të Mihalit, ku thotë se ky ishte një njeri i jashtëzakonshëm dhe ishte pranë futbollistëve në çdo situatë të vështirë.
‘Të dashur miq, Pak minuta më parë u njoha me lajmin e kobshëm se Ylli Mihali, njeriu i mirë, fjalë pak, u nda nga jeta pas një betejë të gjatë e stërmunduese me Covid-19. Ky është një moment i vështirë për të gjithë futbollin shqiptar, që e njofti dhe e dashuroi aq shumë Yllin, që emrin e reflektonte në ҫdo hap dhe moment të jetës së tij. Një fizioterapist dhe një njeri i jashtëzakonshëm që shërbeu për 27 vite pranë ekipit tonë Kombëtar, pranë klubit të tij Tiranës, pranë sportistëve në vështirësi, duke qënë pranë tyre në ҫdo situatë. Humori, dashuria për njerzit, dhembshuria e Yllit do të na mungojnë. Në këtë moment të vështirë për familjen e tij, miqtë e tij të shumtë, lutemi që shpirti i tij të prehet në paqe. Lamtumirë Yll, do të të kujtojmë gjithmonë me dashuri!’- shkruan Duka.
Futbollistët e kombëtares, teksa ai po luftonte me jetën në spital, në fillim të ndeshjes me San Marinon i dedikuan atij një mesazh: “Forca Ylli, mos u dorzo”.