Nga Uashingtoni, ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim ka shkuar direkt në selinë e PD për t’i përcjellë kreut të PD Lulzim Basha diskutimet që ka pasur në SHBA me shefat e saj në DASH dhe Shtëpinë e Bardhë.
Kim shprehu mbështetjen e plotë për PD, duke theksuar se bashkëpunimi do të vazhdojë ashtu sikurse ka qenë në fillimet e saj kur kjo parti mori pushtetin për herë të parë. Ambasadorja shtoi se shpreson që të vijojnë të punojnë bashkë kur partia të vijë në pushtet përsëri, ndërsa dha edhe mesazhin se “demokracia përkufizohet nga një parti opozitare e fortë që lulëzon”.
Ky është takimi i parë i ambasadores me Bashën, pasi ky i fundit vendosi të përjashtojë nga grupi parlamentar i PD, liderin historik të saj Sali Berishën, me kërkesë e ambasadores Kim.
Në hyrje të selisë së PD, Kim është pritur nga sekretari i përgjithshëm i PD Gazment Bardhi. Deri më tani nuk ka asnjë detaj se çfarë do të diskutohet në këtë takim, por mendohet se do të jetë situata e krijuar në PD pas përjashtimit të Berishës, që është pasuar me një “luftë” të brendshme, ku disa mbështesin ish-kryeministri e disa të tjera janë rreshtuar krah Bashës.
Berisha ka nisur aksion politik dhe kërkon të mbledhë edhe 1500 firma të Kuvendit Kombëtarë për referendum brenda partisë për zhbërjen e vendimit të Bashës për përjashtimin e tij nga PD. Nga aksioni politik Berisha pranoi se ka dosje për shpalljen e tij “Non Grata” nga DASH, por sipas tij që të gjitha janë shpifje të fabrikuara nga zyra e kryeministrit Rama. Në përgjigjjen Kim tha se SHBA e ka shumë seriozisht luftën ndaj korrupsionit në Shqipëri. Ky ishte mesazhi i qartë që ambasadorja e SHBA Yuri Kim nga Uashingtoni, atje ku ndodhej bashkë me kryeministrin Edi Rama dhe delegacionin e Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB. Sakaq ky takim vjen edhe disa orë pasi apeli i GJKKO rihapi çështjen e Gërdecit ku akuzohet aleati kryesor i PD kreu i PR Fatmir Mediu.
Më 19 maj të këtij viti DASH shpalli ‘non grata’ Sali Berishën si të përfshirë në “veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij”. Pas vendimit të SHBA Berisha ka shpërthyer me akuza kundër aleatit më të rëndësishëm të Kombit Shqiptar dhe ka hedhur në gjyq numrin 3 të administratës, Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken i cili ishte ai që bëri publik vendimin e SHBA. Por beteja e Berishës tashmë nuk është vetëm kundër SHBA, por edhe kundër “birit të tij politik”, Lulzim Basha i cili pranoi kërkesën e amerikanëve duke e përjashtuar liderin historik të PD nga partia, deri në zbardhjen e të vërtetës në rrugë ligjore.