Një tjetër zyrtar në Bashkinë e Himarës ka rënë në prangat e Policisë, në kuadër të operacionit për tjetërsimin e pronave në Dhërmi.
Bëhet me dije se është arrestuar Elton Marko, me detyrë topograf pranë Bashkisë Himarë, pasi dyshohet se ka falsifikuar formularin e Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi, të cilin e ka përdorur për regjistrimin e një pasurie në fshatin Dhërmi dhe më pas e ka shitur tek persona të tjerë.
“Nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Vlorë u bë ekzekutimi i vendimit të datës 06.11.2021, të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg” për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, për shtetasin E. M., 41 vjeç, banues në Himarë, me detyrë topograf pranë Bashkisë Himarë, pasi dyshohet se ka falsifikuar formularin e Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi, të cilin e ka përdorur për regjistrimin e një pasurie në fshatin Dhërmi dhe më pas e ka shitur tek persona të tjerë”, njofton policia.
Më herët, nën dyshimin e falsifikimit të dokumenteve dhe tjetërsimit të pronave janë arrestuar Drejtori i administrimit e mbrojtjes së tokës në Vlorë, Bardhyl Gjika, specialisti i kësaj drejtorie, Kreshnik Mino dhe ish-kreu i kadastrës së Vlorës Klodjan Troci.