TIRANË– Kati i dytë i një pallati është përfshirë nga flakët në zonën e Freskut në Tiranë, në rrugën ‘Fadil Deliu’. Nga raportimet nga vendngjarja, brenda në pallat ka akoma banorë, të cilët janë larg vatrës së zjarrit, dhe me ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse po nxirren nga banesat e tyre nëpërmjet shkallëve të zjarrfikësve. 3 banorë janë dërguar në spital për shkak të asfiksimit, mes tyre edhe një fëmijë.
Ndërkohë që edhe banorë të tjerë janë evakuuar. Zjarri, i cili dyshohet se është shkaktuar nga shpërthimi i një bombole gazi, është i përmasave të mëdha dhe katër forca zjarrfikëse po punojnë për shuarjen flakëve.