Mbrëmë pas Këshillit Kombëtar, kryedemokrati Lulzim Basha ka mbledhur grupin e deputetëve. Në këtë mbledhje, Basha u dha udhëzime deputetëve demokratë që në veçanti tu gjenden pranë familjeve dhe bizneseve që kanë vuajtur pasojat e përmbytjeve të ditëve të fundit. Po ashtu mësohet se Basha kërkoi nga deputetët që po kështu aktivitetin parlamentar të javës ta ndërthurin me aktivitetin përgatitor në strukturat e Partisë në lidhje me përgatitjet për Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Kryesia e Partisë Demokratike këtë të shtunë, në datë 18 dhjetor.
Basha e përcaktoi 18 dhjetorin si një ditë vendimtare për të ardhmen e PD, në të cilën nuk do t’u flasë vetëm demokratëve, por gjithë shqiptarëve, e që do të projektojë modelin e ri të funksionimit dhe të aktivitetit politik të Partisë Demokratike.
Sipas kreut të PD-së, në Kuvendin e 18 dhjetorit do të merren vendime të rëndësishme të cilat do ta shndërrojnë Partinë Demokratike në një forcë politike moderne, për t’u dhënë shqiptarëve një model qeverisës të shkëputur nga e kaluara dhe për të sjellë ndryshimin që meritojnë të gjithë.