TIRANË– Dosja e inceneratorëve, SPAK arreston ish-ministrin e mjedisit Lefter Koka. Urdhër Arresti është firmosur nga prokurori Klodian Braho dhe gjyqtari Erion Bani dy ditë më parë dhe është ekzekutuar ditën e sotme. Ndaj tij rëndojnë akuzat për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe korrupsion.
Bashkë me të janë arrestuar edhe 2 persona të tjerë, identiteti i të cilëve nuk dihet ende. Nuk dihet se për cilin incenerator bëhet fjalë konkretisht, teksa detaje të reja priten të mësohen në vijim nga operacioni i SPAK.
Nga ana tjetër, kujtojmë se në qershor të këtij viti biznesi i tij, kantina e pijeve “Gjergj Kastrioti” në lagjen numër 14 në Durrës, është sulmuar me një metodë të padëgjuar më parë në Shqipëri, tritol të lëshuar nga droni. Autorët përdorën një dron të mbushur me ekskplozivë, i cili shpërtheu duke u lëshuar nga droni mbi tarracën e godinës 3-katëshe të biznesit, por fatmirësisht nuk pati persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.