TIRANË– 4 janari ka shënuar viktimën e parë për vitin 2022 si rezultat i një vrasjeje kriminale. Shënjestër e këtij atentati mafioz mendohet të ketë qenë Blerim Çela, 28-vjeç, por viktimë e breshërisë së plumbave të kallashnikovit ka mbetur vëllai i tij, 35-vjeçari Erion Çela, i njohur edhe me emrin Adriatik Çela, si edhe 4 persona të tjerë. Që do të thotë, përveç Çelës, i cili ka marrë plagë në këmbë dhe në fytyrë, kanë mbetur të plagosur edhe Edmond Crroj 41 vjeç, daja i viktimës, Azbi Selimaj 19 vjeç kamarier i lokalit i cili ka marrë plagë në shpatull dhe Arben Dani 46 vjeç i dëmtuar në këmbë.
Si ndodhi ngjarja?
Viktima me 4 të plagosurit ishin duke konsumuar një kafe në lokalin ‘New Focus Lounge’ në zonën e ‘Don Boskos’ në Tiranë. Rreth orës 16:15, autorët që dyshohet se kanë qenë 3, kanë ardhur nga spitali i Traumës drejt lokalit me një makinë tip Mercedez Benz E-Class me targa AA 125 UK i zi, të cilat dyshohet se i janë vjedhur një Smart-i. Ato kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi në drejtim të tavolinës ku ishte ulur viktima dhe personat e tjerë dhe më pas janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Ato kanë kthyer makinën në atë zonë dhe janë larguar po në drejtim të Traumës, andej dhe nga erdhën. Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha pikat hyrëse-dalëse të Tiranës dhe në brendësi të lagjeve ku dyshohet se janë larguar personat.
Viktimë e këtij atentati ka mbetur Erion Çela, i njohur edhe me emrin Adriatik Çela, por nga sa mësohet ai nuk rezulton të jetë një person me precedent penal. 35-vjeçari do të bëhej së shpejti babi i një vajze. Shënjestra mendohet se ka qenë Blerim Çela, 28-vjeç, por nuk ka të dhëna mbi të shkuarën e tij që mund të ndihmonin edhe në zbardhjen e motiveve të kësaj ngjarjeje të rëndë. Nga ana tjetër, i plagosur ka mbetur edhe Edmond Crroj 41 vjeç, daja i viktimës, një person me precedent penal për trafik droge në Itali. Mes viktimave është edhe një 19-vjeçar, Azbi Selimaj, i cili ishte kamarier, por që në momentin e atentatit ka qenë i ulur në tavolinë me viktimën.
Në lokal ka kamera sigurie, ç’ka shton edhe shpresat e hetuesve që mund t’i ndihmojnë në identifikimin e autorëve. Sakaq, ngjarja ka shokuar klientët në lokal si edhe banorët aty përreth, pasi është një zonë mjaft e populluar e kryeqytetit.
Bilanci i atentatit në ‘Don Bosko’
Viktima
Erion Çela 35-vjeç (me emër të ndryshuar Adriatik Çela)
Të plagosur
Blerim Çela 28 vjeç i dëmtuar në këmbën e djathtë dhe në fytyrë, vëllai i viktimës
Arben Dani 46 vjeç i dëmtuar në këmbë
Azbi Selimaj 19 vjeç i dëmtuar në shpatull
Edmond Crroj 41 vjeç, i plagosur në bark dhe këmbë