Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar mbrëmjen e sotme në derën e jashtme të shtëpisë së kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Dukës në Durrës. Ngjarja u regjistrua rreth orës 22:20, ndërsa bëhet me dije se lënda plasëse ishte në një sasi shumë të vogël, teksa nga shpërthimi janë konstatuar vetëm dëme të vogla materiale.
Nuk dihen ende rrethanat e kësaj ngjarje, ndërsa Duka nuk ka qenë në banesë gjatë shpërthimit, por ka mbërritur aty pak minuta më vonë. Forca të shumta policie kanë rrethuar zonën dhe po punojnë për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorit apo autorëve.
FSHF dhe Armand Duka kanë qenë kryefjala e lajmeve ditët e fundit, kjo për shkak të zbulimit të skandaleve të njëpasnjëshme. Duka është akuzuar për manipulimin e zgjedhjeve në FSHF e po ashtu edhe për shpërdorim fondesh. Rasti më i fundit ishte zhdukja e 2.1 mln dollarë nga FIFA për klubet shqiptare, për të përballuar situatën e krijuar nga pandemia e COVID.
Ndërkohë ditën e sotme, u regjistrua një tjetër skandal, ku u manipuluan zgjedhjet për kreun e Shoqatës së Futbollit Tirana. Përmes 24 votuesve anonimë, që u futën nga Duka, u arrit që të zgjidhej në krye të kësaj shoqate Krenar Alimehmeti, i vetëm në garë pasi kandidati tjetër Eduard Prodani u tërhoq pak pas nisjes së mbledhjes. Në sallë kishte 67 anëtarë nga 40 që duhet të jenë, ku 24 janë persona anonimë të shtuar nga Duka dhe jo delegatë legjitim. Ndërsa vetë Eduard Prodani dhe 18 mbështetësit e tij u larguan pak para fillimit të mbledhjes.