Nuk është më lajm. Edhe në Gjirokastër, Federata Shqiptare e Futbollit u bë lajm për shkelje në zgjedhjet e shoqatës së Futbollit për delegatët.
Federata tentoi të mbajë zgjedhjet pavarësisht se 7 anëtarë të Shoqatës kishin firmosur një dokument për shtyrjene Asamblesë zgjedhore pasi zbuluan manipulimet që Federata kishte nisur të bënte duke shtuar ose hequr nga lista anëtarë të shoqatës me të drejtë vote, në interes të personave që Armand Duka i sheh si potencial për t’i marrë votën edhe në garën për president më 2 mars.
Shoqatat Rajonale me statut janë të pavarura, dhe Federata Shqiptare e Futbollit nuk duhet të ndërhyjë, por Armand Duka që e drejton Federatën prej 20 vitesh, përjashtoi Qazim Muhon, që përfaqësonte Luftëtarin, vetëm se ai ishte një nga 7 firmëtarët e shkresës kundër mbajtjes së zgjedhjeve të manipuluara. Në vend të tij, Federata Shqiptare e Futbollit vendosi Altin Çomon, ish-kryetar në bashkinë Libohovë dhe ish kreu i PD-së në Gjirokastër.
Me gjithë tentativën e FSHF-së dhe njerëzit që shkuan për votim, zgjedhjet nuk u mbajtën pasi ambientet e stadiumit “Luftëtari” që do shërbenin për këtë proces, ishin të mbyllura.
“Kemi dakordësuar me bashkinë që mbledhja do mbahet në ambientet e stadiumit, por tani na rezulton se nuk janë vënë në dispozicion,”-u shpreh Arben Dervishi, anëtar i komitetit ekzekutiv të FSHF-së.
Nëse për arsye të ndryshme, si kyçja e stadiumit, zgjedhjet nuk mbahen, Asambleja duhet të mblidhet brenda 24 orëve për të zgjedhur delegatët. Në këto kushte, edhe pse anëtarët janë kundër zgjedhjeve me shkelje në Gjirokastër, Federata njoftoi se ato do të mbahen brenda 24 orëve në ambientet e një hoteli privat, por pa treguar se ku.
Gjatë gjithë janarit federata është kujdesur të manipulojë zgjedhjet në shoqatat rajonale të futbollit me qëllim që Armand Duka të shpallet president për herë të gjashtë i FSHF-së. Në asamblenë zgjedhore për president më 2 mars shoqatat rajonale të futbollit kanë 26 nga 55 votat që janë gjithsej.