SPANJË/ Nëntë persona, pjesë e dy grupeve kriminale janë vënë në pranga pasi akuzohen për shpërndarje dhe shitje të lëndëve narkotike. Ngjarja mësohet të ketë ndodhur në Spanjë, në zonën e plazhit San Juan në Alicante. Policia u njoftua nga banorët e zonës për një përleshje me thika në këtë lloj zone, dhe organizoi një operacion të mirëfilltë.
Çfarë kishte ndodhur në plazh?
Anëtarë të dy grupeve kriminale, njëra e përbërë nga shqiptarë e tjetra nga spanjollë, kishin lënë të takoheshin në këtë zonë për të shkëmbyer lëndë narkotike. Mirëpo pazari nuk shkoi siç duhet dhe dy shqiptarë kanë nxjerrë thikat duke lënë të plagosur një spanjoll, 28 vjeç. I plagosuri është larguar me vrap dhe më pas ka shkuar në spital, ku ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Në vendin e ngjarjes ka mbërritur policia më pas që ka rrethuar zonën dhe ka vënë në pranga anëtarë të dy grupeve kriminale. Në total ata janë nëntë persona, shtatë burra dhe dy gra të moshave 46 dhe 20 vjeç. Të gjithë anëtarët e të dy grupeve janë të akuzuar për tentativë vrasjeje, trafik droge, anëtarësimi në një grup kriminal, krim kundër administrimit të drejtësisë dhe fshehje.
Gjatë operacionit janë gjetur dhe sekuestruar 1 mijë e 200 bimë kanabis dhe 2 mijë e 200 euro.
Të arrestuarit janë vendosur në dispozicion të Gjykatave Hetuese të Guardia de Alicate dhe Torrevieja, e cila ka urdhëruar që dy agresorët e dyshuar të vendosen në paraburgim parandalues.