AFGANISTAN- Së paku 10 afganë që punonin në një agjenci për heqjen e minave janë vrarë nga ana e kryengritësve talibanë në provincën veriore Baghlan të Afganistanit.
Të paktën 14 të tjerë u plagosën kur kryengritësit sulmuan kampin e tyre dhe hapën zjarr, tha Ministria e Brendshme e Afganistanit.
Asnjë grup nuk e mori përgjegjësinë për sulmin. Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, i tha Radios Evropa e Lirë se grupi nuk është i përfshirë në këtë sulm.
Zëdhënësi i policisë së provincës, Jawed Basharat tha se punëtorët ishin të angazhuar në organizatën ndërkombëtare të pastrimit të minave Halo Trust. Nga organizata nuk e kanë komentuar incidentin.
Sipas faqes së saj të internetit, organizata joqeveritare ka më shumë se 2,600 punonjës në Afganistan, një nga vendet më të minuara në botë.
Në muajt e fundit në provincën Baghlan kanë ndodhur luftime të ashpra mes talibanëve dhe forcave qeveritare.
Dhuna është rritur ndjeshëm në të gjithë Afganistanin që kur Shtetet e Bashkuara në muajin prill njoftuan planet për të tërhequr të gjitha trupat e tyre deri më 11 shtator.
Kryengritësit talibanë po luftojnë trupat qeveritare në 26 nga 34 provincat e Afganistanit, thonë zyrtarët e qeverisë.