20 plumba janë zbrazur në drejtim të pronarit të “Orange” në Sarandë, Spiro Iljadhi 35 vjeç, afër lokalit të tij, rreth orës 03:50 të mëngjesit të sotëm, nga 3 autorët Andrea Çaushi, Visi Çaushi (vëllezër) dhe shoku i tyre Redjan Hadëri. Policia tha se plagosja ka ndodhur pas një konflikti të çastit.
Plumbat kanë kapur rastësisht edhe pushuesin shqiptaro-amerikan Marin Jano, 33-vjeç. “Orange” është një nga klubet e natës më të njohura në Sarandë, vend i organizimit të shumë spektakleve të këngëtarëve VIP. Pak ditë më parë Iljadhi kishte hapur një filial të ri të lokalit “Orange” në Ksamil.
3 autorët kanë qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të biznesmenit duke i shkaktuar disa plagë dhe për fat të keq në vendin dhe kohën e gabuar ndodhej edhe turisti Marin Jano, i cili kishte ardhur për pushime në vendin tonë. Të plagosurit fillimisht u transportuan me urgjencë në spitalin e Sarandës, më pas biznesmeni u dërgua me helikopter drejt Tiranës dhe ndodhet në gjendje të rëndë te Trauma, ndërsa po i nënshtrohet dhe një operacioni. Plumbat e kanë prekur në bark dhe ka dëmtime të zorrëve.
Spiro Iljadhi njihet si biznesmen në zonë dhe është pronar i lokalit “Bar Orange” në Sarandë dhe Orange Pizza & Grill Lounge” në Ksamil. Iljadhi njihej gjithashtu edhe me emrin Ermal Iljazi, ndërsa shkurt thirrej ‘Ero’. Mësohet se ai nuk ishte person problematik dhe me precedentë penalë.
Policia po vëzhgon kamerat e sigurisë pranë zonës për të zbardhur ngjarjen. Nga plumbat është dëmtuar dhe një automjet tip “Rang Rover”. Të shtënat me armë janë regjistruar në lagjen Nr.1 në afërsi të lokalit të Spiro Iljadhi në rrugën Turizëm-Kanali Cukës në qytetin bregdetar. Autorët pasi kanë qëlluar, janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa policia ka ngritur pika kontrolli për kapjen e tyre.
“Sot, rreth orës 03:50, në lagjen Nr.1, në afërsi të një lokali, në rrethana ende të paqarta, janë plagosur me armë zjarri shtetasit S. I., 35 vjeç, banues në Sarandë dhe M. J., 33 vjeç, banues në Tiranë, të cilët ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes ku vijon puna për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thotë policia.