4 bashkëpunëtorë të drejtësisë, të cilët dhanë informacione duke ndihmuar autoritete shqiptare dhe ato italiane, ku në kuadër të operacionit ‘Shpirti’, kanë zbuluar trafikun ndërkombëtar të drogës, korrupsionit me detyrën dhe pastrimit të parave, dhe si rezultat janë lëshuar 38 urdhër-arreste, nga këta 10 persona të arrestuar më parë. IIirjan Balla, shefi i sektorit kundër trafiqeve në Policinë e Shtetit, Prokurori i Vlorës, Maksim Sota, ish-oficeri i policisë, Festim Lelaj, i proceduar më parë për trafik narkotikësh si dhe Saimir Kurti drejtor i zyrës së Punës në Kavajës janë disa nga emrat e dalë deri më tani, ndërkohë që operacioni është në vijim.
Prokurori i Vlorës, Maksim Sota, aktualisht është nën masën ‘arrest shtëpie’, gjithashtu edhe Ilirjan Balla. Saimir Kurti, drejtor i zyrës së Punës në Kavajës, është akuzuar më parë për plagosjen e tre personave.
Arrestimet po kryhen në Shqipëri, Itali, Spanjë dhe në Mal të Zi, ndërsa po ashtu është urdhëruar edhe konfiskimi i disa pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, që kapin vlerën e disa miliona eurosh.
Përveç fenomenit të korrupsionit, abuzimit me detyrën dhe pastrimit të parave, u zbardh i gjithë “zinxhiri i furnizimit” të drogës në lidhje me kultivimin, prodhimin, grumbullimin, magazinimin dhe dërgesën në brigjet e Puglias.
Ndërkohë bëhet me dije se në lidhje me këtë operacion, janë lëshuar urdhër-arreste edhe në Vlorë, por ende nuk ka më shumë detaje. Operacioni antidrogë po zhvillohet nga Anti-Mafia italiane, SPAK dhe Policia e Shtetit.
Operacioni italo-shqiptar është rrjedhë e zhvillimeve hetimore të operacioneve “Shefi” e “Kulmi” ekzekutuar në 2018 e 2020 nga Drejtoria e Antimafias Italiane të Barit, ku u arrestuan 37 persona, u sekuestruan 40 milionë euro drogë, 4 milion euro asete si prona, automjete e para cash.
Pritet që Prokurori i Antimafias italiane, De Raho dhe kreu i SPAK, Arben Kraja po zhvillojnë një konferencë për shtyp, për të dhënë më shumë detaje në lidhje me këtë operacion të gjerë.