Zgjimi nga ëndërra është shokues! Me mijëra interesa kapilare, si fije nervore, ndërthuren në atë kupolë vendimmarrëse, që ishte aq afër ditën përpara zgjedhjeve dhe shkoi aq larg ditën pas tyre.
Ditët e para pas zgjedhjeve të përgjithshme, janë specifikisht të rënda për humbësin e tyre. Edhe kur humbëse është Partia që ka qeverisur- ka shumë dramë, lëre pastaj kur humbet partia opozitare që ka ushqyer prej vitesh të tëra shpresat e militantëve të vet për “agun e ditës së re” kur shteti do jetë më në fund në duart e tyre dhe premtimet opozitare do të mund të bëheshin realitet!
Zgjimi nga ëndërra është shokues! Me mijëra interesa kapilare, si fije nervore, ndërthuren në atë kupolë vendimmarrëse, që ishte aq afër ditën përpara zgjedhjeve dhe shkoi aq larg ditën pas tyre.
Kur proces – verbalet e rezultateve elektorale vijnë të kundërfirmosura nga anëtarët e ushtrisë tënde zgjedhore, një pështjellim të krijohet në stomak. E kupton në moment që të ka mbetur vetëm një aleat hamletian, i padinjitetshëm, mjegullues, për të shtyrë në kohë dufin kundërshtues.
Aleati i vetëm është retorika kundërshtuese: “Fjalë, imzot, fjalë.”
Ke vetëm një alternativë të dinjitetshme: “Dorëheqje e parevokueshme, përfundimtare e Kryetarit dhe pasuesve të tij”! Dorëheqja, kjo shpikje kaq dinjitoze e demokracisë është melhem për plagët e shumta, është çlirim për të gjitha vuajtjet e pafundme të kohëve të vështira, fjalët e tharta të kundërshtarëve brenda apo jashtë familjes opozitare, është një dritare e re shprese për të zhgënjyerit.
Unë e kuptoj që thirrjet e Antiopozitarëve për fokusimin te Lulzim Basha kanë tjetërkund qëllimin; lehtësimin e zhurmës opozitare ndaj blerjes së organizuar, mafioze të votave nga Pushteti. Mirëpo këtë radhë, pavarësisht nga qëllimi i tyre i vërtetë, Antiopozitarët kanë të drejtë: Kapiteni i anijes Opozitare duhet të ndërrohet!
Le të themi që Kryetari i ri i PD-së do të duhej të zgjidhet brenda një viti nga dita e sotme. Kurrsesi nuk duhet që lideri i ri të zgjidhet në një periudhë kohore 30 ditore. Ky do ishte një riemërim. Kjo periudhë një vjeçare të shërbente për një hapje totale ndaj shoqërisë, të ftoheshin personalitete publike jashtë PD-së së sotme në konkurim.
Ky duhej të ishte misioni i fundit i Lulzim Bashës.
Statuti i PD-së të ndryshohej nga komisioni interim i udhëhequr nga Kryetari aktual. Kjo do ta zhveshte atë nga interesat personale të Kryetarit të ardhshëm. Në statut të parashikohej shkarkimi automatikisht i Kryetarit të partisë në çdo rast kur partia humbet zgjedhjet e përgjithshme, mandatet e kufizuara në krye të Partisë ose Qeverisë, kompetencat e kufizuara në hartimet e listave të Kryetarit të Partisë dhe plot ide të tjera demokratike që asnjëherë nuk mungojnë kur në Komisione mungon hija e rëndë e Kryetarit.
Demokratizimi i asaj partie që themeloi pluralizmin duhet ta mundë heremetizmin e interesave të Kryetarit të radhës, të rithemelojë konceptin e Partisë si organizatë bashkëaksionare jo si hierarki pedante e një kohe të vjetër.
Lulzim Basha mundet të bëjë një punë të jashtëzakonshme në këtë drejtim. Do të ishte një kontribut i paçmueshëm i tij nëse krijon një mundësi të barabartë konkurimi për të gjithë të interesuarit; një lehtësim nga barra e rëndë e humbjeve të së shkuarës dhe një vulë në testamentin e së ardhmes së asaj Partie. Kjo që po them shkon përtej besnikërisë ndaj Lulzim Bashës. Është rikthim i shpresës për ndryshim./ Ermal Mulosmani