Rrjetet sociale zënë një vend të rëndësishëm në jetën e të rinjve, për pasojë dhe ndikojnë në përditshmërinë e tyre. Por bullizmi nuk i shpëton komunikimit virtual. Një shembull i thjeshtë, ndoshta dhe banal është edhe reklama anti reklamë që u bë për bluzat “Palm Angels”. Një bluzë si çdo tjetër, por për një arsye apo tjetër, në një kohë shumë të shkurtër, u bënë trend dhe mund t’ia shikoje kudo nëpër rrugët e Tiranës. Diçka shumë normale deri në momentin që e morën në dorë situatën rrjetet sociale. U desh një faqe interneti që bullizonte të rinjtë që vishnin një bluzë të tillë e që më pas të vërshonin faqe të tjera në internet, “Instagram” dhe “Facebook” ku publikonin fotografi të të rinjve që i kishin veshur ato në rrugë dhe kudo, si dhe bënin meme “tallëse” për këdo që vishte bluza të tilla.
“Në fillim kërkonin shumë bluza të tilla dhe shiteshin direkt sa vinte furnizimi. Tani më kanë mbetur aty se nuk i merr më njeri”, tregon për Gazetasi.al një nga shitëset e dyqaneve në Tiranë.
Të njejtën gjë pohojnë dhe shitëse të tjera, bashkë me të rinjë që tregojnë për Gazetasi.al se tani “kanë frikë” të veshin një bluzë të tillë sepse mund ta shohin veten në ndonjë faqe interneti vetëm për shkak të preferencës së tyre për të veshur një bluzë normale. Psikologe Nereida Llaha tregon për Gazetasi.al se promovimi në masë i fenomeneve të caktuara në mediat sociale i përfshin të rinjtë në një konkurencë ose përpjekje të tejskashme për të qenë “In” me trendin. Thënë kjo, nëse një person që ka një faqe me shumë ndjekës mendon se bluzat “Palm Angels” nuk duhet të vishen më, të gjithë personat që disponojnë një faqe, me përjashtime të vogla, duhet të mendojnë ashtu.
“Media sociale servir shembuj, të cilat në të shumtën e rasteve ndodh që thjesht të imitohen nga të rinjtë, duke humbur mundësinë për ti modeluar këto modele. Imitimi i tyre bën shpesh që të rinjtë të humbin në një farë mënyre identitetin e tyre”, thotë Llaha. Nga ana tjetër, Llaha shpjegon se duke qenë në përpjekje të vazhdueshme për tu prezantuar edhe vetë me trendet e fundit, ka nga ata që në pamundësi ekonomike ose sociale, përjetojnë emocione negative deri në ankth.
“Pra ndikimi emocional është i dukshëm”, shton ajo.
“Unë e kam pasur një bluzë të tillë dhe nuk e vesh më. Në fillim nuk më interesonte fakti se ajo ishte kudo nëpër internet por më pas u bë e bezdisshme kur filluan e më shikonin rrugës dhe qeshnin ose bënin me gisht nga unë”, tregon Amel L., një i ri.
Gjithsesi, psikologja Llaha tregon se përfshirja ose jo në fenomene të caktuara të zhvilluara në rrjetet sociale ka të bëjë edhe me elementë karakterial. “Të dyja qëndrimet egzistojnë dhe qëndrojnë. E rëndësishme është që të mos kalohet masa”. Kjo do të thotë që dëshira për të qenë protagonist në këto fenomene të mos bëhet qëllim në vetvete sepse pamundësia për ta arritur këtë qëllim ndikon negativisht në shëndetin psikologjik të të rinjve.
A quhet ky bullizëm?
Padyshim po, por gjithsesi “bullizmi është një proces kompleks”. Psikologia shpjegon se të rinjtë të cilët bullizojnë kanë dhe reflektojnë problematika të caktuara përsa i përket sjelljeve, problematikave emocionale, traumave të hershme të fëmijërisë. Thënë kjo, bullizmi në rrjetet sociale është thjeshtë një faktor që nxjerr në pah problematika më të thella të individëve. Llaha thotë se diçka që mund të bëjnë të gjithë të rinjtë që u bënë pjesë e memeve nga moshataret e tyre është të manifestojnë qëndrimet kundër bullizmit, ti shfrytëzojnë raste të tilla për të përcjellë mesazhe sensibilizuese. Nga shumë të rinj që mendojnë se dikush nuk dyhet të veshë një bluzë thjesht sepse ai dhe ata mendojnë se nuk duhet, janë të rinjtë të tjerë që nëse duan të veshin një bluzë normale, ta veshin pa frikën se dikush do t’i fotografojë dhe do të jenë në internet, duke u sharë nga shumë të tjerë.