Nga James Ball, New European
Një udhëheqës botëror nuk mund të jetë kurrë i sigurt se me çfarë do të përballet çdo ditë. Fundjava e kaluar solli shumë të papritura për krerët e qeverive evropiane, kur Bjellorusia realizoi arrestimin e guximshëm të gazetarit dhe aktivistit opozitar Roman Protasevich, duke inskenuar një alarm të rremë për bombë në bordin e një avion të linjës “Ryanair”, duke e devijuar atë drejt Minskut shoqëruar nga një avion luftarak, dhe duke arrestuar gazetarin dhe të dashurën e tij.
Për hir të lirisë së shprehjes – për të mos përmendur fluturimin e sigurtë – veprime të tilla duhet të kenë pasoja, dhe këto të fundit do të varen kryesisht nga udhëheqësit e Evropës. Midis tyre më kryesorja është Angela Merkel, kancelare e Gjermanisë që nga viti 2005, dhe ndoshta “guri” themeltar i politikës së BE-së.
Gjithashtu Merkel mori me të drejtë meritat për qëndrimin e saj të pazakontë, parimor, duke e hapur Gjermaninë ndaj një numri të madh refugjatësh sirianë. Një pjesë e madhe e reagimit të Evropës ndaj krizës së fundit në Bjellorusi, do të mbështetet tek ajo dhe llogaritë e saj mbi peshimin e veprimeve kundër udhëheqësit autokratik të bjellorusisë, Alexandër Lukashenko, i cili gëzon mbështetjen politike të Vladimir Putinit.
Merkel po mbështetet tek Rusia për projektin madhor të gazsjellësit “Nord Stream 2”, që do transportojë gaz nga Rusia në Gjermani nën Detin Baltikut, duke anashkaluar vendet e Evropës Lindore. Por po e ekuilibron këtë qasje, duke qenë kundër agresionit politik të Moskës.
Evropa përballet me një vakuum të lidershipit, me pak udhëheqës të fortë apo që kanë përvojë dhe aftësi për të drejtuar bllokun. Ajo që e bën edhe më të zymtë panoramën, është lista e gjatë e detyrave që kanë udhëheqësit e kontinentit.
Ata duhet të menaxhojnë një rikthim në normalitet nga koronavirusi dhe dëmin ekonomik që ka shkaktuar ai. Duhet t’i kundërvihen si duhet sjelljes agresive dhe fushatës dezinformuese nga Rusia; të luftojë kundër shkeljeve të të drejtave të njeriut në Kinë; dhe fuqizimin e populistëve brenda vetë Evropës, si në Hungari dhe Poloni.
Figurat më unifikuese të Evropës vijnë zakonisht nga vendet e saj më të mëdha, sidomos ato që janë më shumë kontribuuese në buxhetin e BE-së. Largimi i Britanisë nga BE ka larguar nga ekuacioni një nga tre të mëdhenjtë, duke i lënë vetëm Francën dhe Gjermaninë.
Është e sigurt që presidenti francez Emmanuel Macron, do ta donte titullin jozyrtar të liderit politik de facto të Evropës. Por ekzistojnë të gjitha arsyet për të besuar se lidershipi i tij do të ishte katastrofik dhe përçarës. Disa vite më parë, Macron mashtroi shumë nga progresistët dhe centristët e Evropës, të cilët besuan se ai ishte njëri prej tyre, me fyrytën e tij rioshe, me thirrjet për modernizim dhe me krijimin e një partie të re politike.
Në realitet, qasjet e tij ishin pak më shumë sesa një varietet rrymash populiste, me po aq pak zgjidhje reale se sa çdo populist tjetër. Brenda vendit Macron po përballet kryesisht me Frontin Kombëtar, duke u përpjekur që të zbehë popullaritetin e këtij të fundit përmes imimit të tij, pra duke miratuar ligje që synojnë pakicën myslimane të vendit.
Sa i përket politikës së jashtme, Macron e ka shprehur vazhdimisht dëshirën për një afrim me Rusinë, për të pasur një qasje kolektive kundër rreziqeve të mundshme nga Lindja e Mesme. Ata që kërkojnë një udhëheqje vendimtare kundër kërcënimeve populiste apo abuzuesve të të drejtave të njeriut, mund t’u duhet të kërkojnë diku tjetër, por jo në BE.
Dhe pretendenti në këtë rast është kryeministrin italian Mario Draghi, që gëzon një popullaritet të madh që kur mori detyrën në muajin shkurt. Draghi është gjithashtu një lojtar i konsoliduar në skenën politike evropiane, pasi ka shërbyer si president i Bankës Qendrore Evropiane për 2 mandate rresht në vazhdën e krizës financiare globale.
Draghi mund të jetë figura e aftë, internacionaliste për të cilën ka nevojë blloku. Por është e sigurt se në punën e tij do të ndërhyjë politika. Ai është në krye të një koalicioni të madh dhe të brishtë të partive politike,i cili nuk ka gjasa të tregohet i qëndrueshëm në planin afatgjatë.
Për më tepër dashuria e Italisë me liderët e rinj politikë rrallë zgjat shumë gjatë.
Bastexhinjë profesionistë nuk do t’i jepnin shumë shanse skenarit sipas të cilit Draghi mund të rrijë aq kohë në pushtet sa Merkeli në Gjermani. Ndërkohë a ka gjasa që pasardhësi i Merkelit në Gjermani, të përpiqet të zërë vendin e saj si lideri jozyrtar i Evropës?
Duket se nuk ka gjasa që ta arrijë këtë në fillim, sidomos pasi nuk është ende e qartë se kush mund të jetë. Aktualisht, Partia e Gjelbër është kokë më kokë në sondazhe me CDU/CSU e Merkel, gjë që do të thotë se kancelari i ardhshëm, mund të vendoset nga ai që do të arrijë të formojë një koalicion qeverisës.
Të Gjelbrit gjermanë janë përgjithësisht një parti socialdemokrate, me një nuancë mjedisore, dhe janë disi më pak pro-Rusisë sesa të tjerët në skenën politike të vendit. Ata e kundërshtojnë fort gazsjellësin “Nord Stream 2”. Kandidati i zgjedhur i CDU, Armin Laschet, konsiderohet si një lloj simpatizanti i Rusisë, ose Russlandversteher siç thuhet në gjuhën gjermane.
Por, cilado që të marrë drejtimin e qeverisë, nuk do të ketë staturën, përvojën, apo respektin që gëzon sot Merkelt.E gjitha kjo krijon një vakum pushteti. Dhe çfarë do të thotë e gjithë kjo për Evropën? Gazetat britanike e kanë bërë zakon sugjerimin se çdo krizë e mundshme do të sjellë fundin e BE-së, e megjithatë unioni vazhdon të ekzistojë.
Është thuajse e sigurt se BE do t’i mbijetojë çdo krize të shkaktuar nga vakuumi i lidershipit. Por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se ajo do të lulëzojë. BE është në një pikë në të cilën do të duhet që të jetë vendimtare.
Ajo duhet të ketë një politikë të jashtme të unifikuar, duhet t’i tregojë botës se çfarë përfaqëson, dhe si do ta adresojë problemin e ngritjes së Kinës, që po ndodh me agresionin kundër Hong Kongut dhe një gjenocidi kundër popullsisë ujgure. Gjithashtu Brukseli duhet të merret me sjelljet agresive të Rusisë, dhe ato të kohëve të fundit të Bjellorusisë.
Por ndërkohë duhet të trajtojë problemet më afër shtëpisë:fuqizimin e autokratëve populistë në Hungari dhe Poloni. Pa një udhëheqës autoritativ, që të përpiqet t’i udhëzojë njerëzit drejt një veprimi konsensual, BE ka të ngjarë të përfundojë duke e zhytur kokën si struci në rërë për disa vite me radhë, derisa të dalë në skenë një brez i ri politik.