TIRANË– Tre prodhues të minave me telekomandë u arrestuan në Durrës me tre bomba të lidhura me celular të gatshme për përdorim për ngjarje kriminale. Ilir Alliu, 47 vjeç, Bledar Çakalli, 31 vjeç dhe Edmond Bardhi, 37 vjeç, të tre lindur në Dibër dhe banues në Sukth, u vunë në pranga në kuadër të operacionit policore “Muzeu”. Agjensitë kishin marrë informacion se ata prodhon dhe tregtonin mina me telekomandë në qytetin e Durrësit, kundrejt shumës 2500-3000 euro copa, ndaj u kanë ngritur kurth.
Një agjent i infiltruar i policisë së Durrësit, sipas burimeve ka bërë porosinë për minat dhe në momentin kur tre prodhuesit janë paraqitur për ti dorëzuar, blutë i kanë vënë në pranga. Ilir Alliu, Bledar Çakalli, dhe Edmond Bardhi, u kapën në një makinë brenda të cilës transportonin tre minat e lidhura me celular dhe të gatshme për përdorim.
Më 1 qershor tre persona të tjerë u vunë në pranga po në Durrës me eksplozivë, armë dhe municione. Barim Flora, person me precedent penalë, Ardjan Gjoka dhe Jemin Flora, që të tre banues në Tiranë, u kapën me një sasi eksplozivi plastik C4, tritol dhe municione luftarake. Dy tentativat e shitjes së eksplozivëve në harkun e 3 ditëve vetëm në Durrës, konfirmojnë lulëzimin e tregut të zi të armëvë, ndërsa vendi është përfshirë nga ngjarje të rënda kriminale që kanë prodhuar viktima e të plagosur.
Nga ana tjetër, rastet konfirmojnë dyshimet për një rrjet të mirëfilltë të trafikut, ndaj policia e Durrësit duke u treguar e rezevuar në detaje thotë po punohet për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në tregti me krimin.