ITALI – Ora 21:00 e kësaj të premteje është momenti i startit zyrtar të Kampionatit Europian të futbollit. Rrugëtimi i kompeticionit më të rëndësishëm në “Kontinentin e Vjetër” do të nisë nga Roma, pikërisht stadiumi “Olimpico”, ku Italia do të përballet me Turqinë në sfidën hapëse të Grupit A.
Për skuadrën e “të kaltërve” ka ardhur momenti i së vërtetës, ai për të mbledhur frytet e punës 3-vjeçare të bërë me trajnerin Roberto Mancinin. Skuadra italiane vjen pas një serie të gjatë rezultatesh pozitive, plot 27 ndeshje pa humbje, por përballja e së premtes në “Olimpico” përballë 16 mijë tifozëve ndaj Turqisë do të jetë prova e vërtetë e kësaj epoke të re.
Italia në këtë eveniment do të duhet të tregojë se nuk ka frikë asnjë prej gjigandëve të futbollit europian. Që nga momenti kur Mancini mori stafetën nga Ventura në pankinën e 4 herë kampionëve të botës në vitin 2018, “të kaltrit” kanë humbur vetëm 2 ndeshje dhe në të dy rastet bëhet fjalë për skuadra pretendente për fitoren e “Euro2020”, Francën në një sfidë miqësore dhe Portugalinë në Nations League.
Ajo që bën më shumë përshtypje te Italia është forca e grupit, duke qenë se “të kaltrit” nuk kanë një bomber të mirëfilltë në radhët e tyre; nuk kanë asnjë lojtar të tipit Ronaldo, Kane, Lewandowski apo Lukaku e Mbappe. E megjithatë, Italia ka mundur të marrë fitore të njëpasnjëshme, gjë që ka ndodhur shumë rrallë në të kaluarën. Në 8 ndeshjet e fundit Italia jo vetëm që nuk ka pësuar humbje, por as nuk ka pësuar qoftë edhe një gol të vetëm.
Përsa i përket repartit ofensiv, Roberto Mancini do të besojë padyshim te Ciro Immobile, por është i ndërgjegjshëm, se ai ka edhe armë të tjera siç janë Insigne dhe Bernardi, që do të jenë përkrah tij që nga minuta e parë ndaj Turqisë. Ndërkohë që Chiesa dhe Belotti në stol do të jenë në gatishmëri për t’iu përgjigjur apelit të Mancinit, kur ky i fundit do të kërkojë shërbimin e tyre.
Mancini gjithnjë ka mbajtur një profil të ulët në deklaratat e tij, por nuk vendosi kufizime. Italia në këto 3 vjet ka treguar se e ka potencialin për të fituar Europianin e këtij viti, ose të paktën për t’i shkuar deri në fund. Por për momentin Italia duhet të mendojë për pengesën e saj të parë.