TIRANË– Ditën e sotme, anëtarët demokratë do të hedhin votën e tyre për të zgjedhur kryetarin e ri që do të drejtojë Partinë Demokratike. Votimi ka nisur në orën 08:00 dhe do të zgjasë deri në 19:00.
Kandidatët në garë për kreun e PD janë: Edit Harxhi, Fatbardh Kadilli, Lulzim Basha dhe Agron Shehaj.
I pari nga kandidatët në garë që ka votuar ishte Lulzim Basha. Ai priti në radhë derisa hodhi votën e tij. Më pas për mediat, Basha u shpreh se procesi është demokrat dhe me vlerë.
Problematika janë konstatuar nga ana e kandidatit Agron Shehaj. Ekipi i tij bën të ditur se vëzhguesja e tyre në njësinë Nr. 5 është përjashtuar nga komisioni pa të drejtë. Sipas tyre, Enkeleda Cela është përjashtuar dhe momentalisht në këtë qendër nuk kanë asnjë vëzhgues. Arsyet e përjashtimit nuk dihen ende.
Janë rreth 75 mijë anëtarë të PD që kanë të drejtën e votës dhe që do t’i drejtohen sot 76 qendrave të votimit të ngritura në të gjithë vendin, përmes të cilave anëtarët do të ushtrojnë të drejtën e votës për të zgjedhur kryetarin.
Votën mund ta hedhin vetëm personat që kanë kartë anëtarësie edhe nëse nuk e kanë emrin në listë. Të përjashtuar nga vota do të jenë demokratët që sipas kryetarit të Komisionit Zgjedhor në PD, Jemin Gjana kanë bërë fushatë haptas për kundërshtarët në zgjedhjet e 25 prillit, ndonëse ata rezultojnë anëtarë të PD.
Në krye të Komisionit për zgjedhjen e kryetarit të ri është Jemin Gjana, ndërsa anëtarësia përbëhet nga Albana Vokshi, Belind Këlliçi dhe Çlirim Gjata. Ndihmësit do të jenë Mimoza Hasekiu, Albert Avduli, Gjoke Vuksani, Ervin Minarolli dhe Lulzim Omuri.