Në kuadër të miratimit të Agjendës 2030, vendet anëtare të NATO-s mblidhen sot në Bruksel. Në deklaratat hyrëse të sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, deklaroi se do të merren vendime të rëndësishme sa i përket sigurisë të së ardhmes.
Një nga temat që pritet të diskutohet është strategjia që do të ndjekin në lidhje me Kinën dhe Rusinë. Marrëdhëniet me Rusinë, Stoltenberg i konsideroi në nivelin më të ulët që nga periudha e luftës së Ftohtë.
Përpara samitit, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se takimi vjen “në një moment thelbësor për aleancën” dhe për “sigurinë kolektive”, si dhe paraqet një “mundësi unike” për të rinovuar lidhjet.
“Ne duhet t’u përgjigjemi shumë kërcënimeve dhe sfidave në të njëjtën kohë”, tha Stoltenberg.
Sa i përket Kinës, Stoltenberg e konsideroi si tejet të rëndësishme përfshirjen e saj në listën e kërcënimeve dhe ndërmarrjen e politikave të përbashkëta kundër ndikimit kinez.
“Rusia dhe Kina po veprojnë përsëri kundër rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla; kërcënimi i vazhdueshëm i terrorizmit; sulme të sofistikuara kibernetike; teknologji përçarëse dhe ndryshime klimatike. Asnjë vend dhe asnjë kontinent nuk mund të merret vetëm me të gjitha këto sfida. Por, Evropa dhe Amerika e Veriut nuk janë vetëm. Ne qëndrojmë së bashku në NATO”, tha Stoltenberg.
Për të parën herë, në agjendë do të përfshihet si një nga pikat kryesore të diskutimit edhe ndryshimet klimaterike.
Ndërkohë që një nga pikat kryesore e cila pritet të shkaktojë diskutim ka të bëjë me rritjen e buxhetit të vendeve për organizatën.
Ky është Samiti i parë i NATO-s ku Biden merr pjesë si President i SHBA dhe ai pritet të adresojë çështjet për Kinën dhe Rusinë.
Ndërkohë që Shqipëria, anëtare e organizatës euro-atlantike që nga 1 Janari 2009 do të përfaqësohet nga Kryeministri Edi Rama.