4.5 milionë euro shtesë kërkohen për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë vitit 2021. Në raportin periodik të ecurisë së projektit, që publikon Banka, nënvizohet se nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar janë bërë disa amendime. Banka Botërore e cila ka financuar projektin 5 vjeçar në vlerën 80 milionë dollarë sjell në vëmendje rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjes së ndryshuar me autoritetet shqiptare.
Sipas raportit Punët civile po përparojnë mirë dhe shumica e punëve rehabilituese për vitet e para janë kryer. Konsulenti i Mbikëqyrjes po ndjek nga afër ekzekutimin e punëve të mirëmbajtjes periodike dhe rutinë, përgatitjen e vizatimeve të ndërtimeve të përfunduara nga punimet e rehabilitimit.
Një tjetër element që sjell në vëmendje dokumenti i Bankës Botërore është nënshkrimi i marrëveshjes së ndryshuar me autoritetet shqiptare. Pas kërkesës së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, njësia menaxheriale e Bankës ka miratuar dhe nënshkruar në 14 Prill 2021 ndryshimin e Marrëveshjes së Huasë.
Në të kërkohet veprim i menjëhershëm nga MIE dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për të miratuar Vendimin e Këshillit të Ministrave që i jep ‘ok’ ndryshimeve të detajuara dhe lejon Financat që të nënshkruajnë këtë marrëveshje me ndryshime në mes të qershorit.
‘Vonesat e mëtejshme do të ndikonin në aftësinë e ARRSH-së për të zbatuar punimet shtesë, ndryshojë kontratat e punëve civile dhe nënshkruaj kontrata të reja konsulentësh, që lidhen me Studimin e Fizibilitetit dhe Projektimet e Hollësishme për Rehabilitimin dhe Rindërtimin e Urave’ thuhet në raportin e rishikimit.
Projekti për mirëmbajtjen e rrugëve në bazë të performancës dhe rritjen e sigurisë nisi pas miratimit të një kredie nga BB në vitin 2015. Aktualisht janë disbursuar 65% e fondeve të projektit.
Projekti 5-vjeçar parashikonte mirëmbajtje në 5 vite përmes katër kontratave të 1335 kilometrave rrugë në të gjithë vendin. Aktualisht janë në fuqi katër kontrata me tre kompani. Kontrata A që përfshin Rajonin Verior Shkodër-Kukës, me gjatësi në kilometra 336 dhe me vlerë 21.2 milionë euro që është marrë nën menaxhim nga (JV) BIOLIAP A.T.E.V.E. & GECI LTD.
E dyta, është zona B që përfshin Rajonin Veri /Qendër/Lindje – Tiranë – Dibër me gjatësi 286 kilometra dhe me vlerë 19.6 milionë euro, e fituar edhe kjo nga (JV) BIOLIAP A.T.E.V.E. & GECI LTD.
E treta, zona C, përfshin rajonin Qendër/Jugor Lindje Fier-Elbasan – Korçë me gjatësi 419 kilometra, me vlerë 11.6 milionë euro dhe e lidhur me kompaninë Rawafed Al-torok Contracting Establishment. E katërta zona D, rajoni jugor-Vlorë-Gjirokastër, me gjatësi 350 kilometra, me vlerë 13.7 milionë euro dhe operator fitues, Elicatechnical Commerce Societa & Salillari sh.p.k