Tiranë/ Ende mbetet mister se kush është pronar i 324 kg kokainë që u gjetën ditën e djeshme në Portin e Durrësit. Kamioni ishte nisur nga Maqedonia në Shqipëri dhe më pas do të shkonte në Napoli të Italisë. Kamioni kishte hyrë në Shqipëri nga Pika Kufitare e “Qafë-Thanës” dhe më pas intenerari i tij, ishte të udhëtonte në drejtim të Durrësit, ku do lundronte me traget në drejtim të Italisë.
Sasia e drogës është gjendur e futur dhe izoluar mirë në serbatorin rezervë të karburantit, që kishte kamioni.
Një pjesë e sasisë së drogës të sekuestruar dje në Durrës, është e njëjtë në ambalazh me sasinë e drogës të sekuestruar në 17 maj 2021 në Lipjan të Kosovës. Kjo pasi e njëjta logo e uiskit brazilian “Vleho Barriero” është konstatuar në pakot e bllokuara dje në portin e Durrësit.
Ka shumë dyshime se kjo linjë trafiku është e organizuar dhe drejtohet nga grupe kriminale që veprojnë në Kosovë dhe Serbi, të cilat përdorin territorin shqiptar si një terren tranzit, me qëllim kalimin e sasive të kokainës. Kjo është sasia e 4 e kokainës, që arrihet të zbulohet dhe kapet në Portin e Durrësit.