Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Rozafë Kelmendi ka reaguar pas deklaratave të politikanes Natyra Kuçi e cila thoshte se vajza e kryeministri Albin Kurti, në Festivalin e Kanës, ka veshur një fustan që kushton 490 dollarë.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Kelmendi shkruan se fustani i Leas, është i punuar me dorë nga gratë e Kosovës dhe është marrë ‘borxh’, për ta kthyer sapo të kthehen në Kosovë.
‘I quajtur “The Strawberry Dress,” fustani me dredhëza të vogla të qëndisura, u bë ndër veshjet më të popullarizuara në internet gjatë kohës së pandemisë.
Në Festivalin e filmit në Kanë, ku sot u dha premiera botërore e filmit nga Kosova, “Pa vend”, vajza e kryeministrit, Lea pati të veshur fustanin e dizajnuar nga Lirika Matoshi, i punuar nga gratë e Kosovës.
Kryeministri ndodhet në Kanë në përkrahje të filmit kosovar dhe bashkëshortja e tij, ka huazuar dy fustanë për veten dhe fustanin me dredhëza për të bijën, të disenjuara nga kreatoret kosovare Teuta dhe Lirika Matoshi. Me t’u kthyer në Prishtinë fustanët do t’u kthehen kreatoreve.’- shkruan Kelmendi.
Një ditë më parë zëdhënësja e PSD-së, në një postim në mediat sociale, ku kishte hedhur një foto të kryeministrit Albin Kurti me vajzën dhe bashkëshorten, shkruante se në festivalin prestigjioz, e bija e kryeministrit ka veshur fustan që kushton 490 dollarë.