Këtë të shtunë, në GJKKO është zhvilluar seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj pronarit të kompanisë Alba Exotic Fruit Eduart Dautin dhe administratorit Bajron Gumeni, ky i fundit i arrestuar për sasinë 11 kg e 675 gram të kapura në kontejnerët e kompanisë më 13 korrik. Gumeni u la në burg nga GJKKO ndërsa Dauti është ende në kërkim.
Gazetari i Report Tv Sokol Dema bën me dije së pala mbrojtëse nuk ka pranuar akuzat ndërsa gjatë seancës ka pasur edhe debate në lidhje me trensferimin e çëshjes nga Durrësi, e cila shpalli moskompetencë dhe e kaloi në SPAK. Trupa e GJKKO ka vendosur që hetimet të ndiqen nga SPAK për shkak se ka dyshime dhe prova të besueshme që kemi të bëjmë me grup të strukturuar kriminal.
Për herë të 3 brenda një muaji “Alba Exotic Fruit” i është gjendur kokainë. Më 13 korrik në Portin e Durrësit u gjetën dhe u sekuestruan 11 kg e 675, ndërsa 10 ditë më vonë, më 23 korrik u gjetën 6.5 kilogramë të tjera, të cilat ishin fshehur në kontejnerët e po të njëjtës kompani. Edhe 2 ditë më parë iu gjetën dhe u sekuestruan 7.25 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë në kontejerët e kësaj kompanie në vijim të operacionit “Rada” që ka nisur disa javë më parë.
Droga është gjetur në kontejnerë të kësaj kompanie e cila importon banane nga Amerika Latine. Dauti, është shpallur në kërkim nga Policia. Nga arratia ai ka akuzuar autoritetet portuale të Pireut dhe Durrësit për përfshirje në trafikun e drogës.
Kompania ‘Alba Exotic Fruit’ rezulton e përmendur edhe më parë në ‘histori’ me trafik droge, pasi në total i janë kapur 4 herë kokainë, fillimisht në vitin 2019, në kontejnerët e kësaj kompanie, në Pire të Greqisë u gjetën 137 kg kokainë që u zëvendësua me oriz me GPS nga autoritetet. Për kokainën e ngarkuar në kontejnerët e ‘Alba Exotic Fruit’ në 2019 u arrestuan Altin Myslihaka dhe Ardian Begaj dhe u shpall në kërkim Gentian Malindi.
Itinerari i kontejnerit më 13 korrik:
Kontejneri ishte nisur nga Ekuadori në datë 26 maj dhe në total ka ndaluar në 5 porte. Ndalesa e parë pas nisjes ishte në Guayaquil të Ekuadorit në orën 02:47 të 27 majit. Aty qëndroi për 2 ditë dhe më pas mëngjesin e 29 majit u nis drejt Marokut të Afrikës së Veriut. Edhe në këtë ndalesë, kontejneri qëndroi për një kohë relativisht të gjatë, nga data 16-24 qershor. Nga Maroku, kontejneri udhëtoi drejt portit të Greqisë për të mbërritur më pas në Portin e Durrësit, ku dhe pas kontrollit të detajuar u gjet 11 kg e 675 gram.