VLORË- Prej një jave Vlora e rrethuar nga zjarri! Vijojnë që të digjen qindra hektarë pyje në Tragjas dhe Karaburun! Asnjë ndërhyrje nga ajri, ndërsa punonjësit ‘luftojnë’ me mjete rrethanore.
Vatrat e zjarrit janë riaktivizuar sërish në Tragjas dhe në Gadishullin e Karaburunit në Vlorë, ku flakët po përpijnë disa hektarë pyje dhe kullota.
Forcat Zjarrfikëse të qytetit të Vlorës janë nisur drejt vatrave të zjarrit për të bërë shuarjen e tyre. Siç vihet re nga pamjet, punonjësit po luftojnë me mjete rrethanore dhe në kushte mjaft të vështira që të vënë në kontroll vatrat e zjarrit. Në zonën e Tragjasit, janë riaktivizuar 6 vatra zjarri, ndërkohë që terreni i vështirë nuk favorizon zjarrfikësit që të shuajnë flakët. Përbri malit të Tragjasit është gadishulli i Karaburunit ku duken me sy të lirë flakët.
Deri tani nuk ka asnjë ndërhyrje nga ajri me helikopetar për të bërë të mundur vënien nën kontroll të flakëve. Pas dy ditësh vënie nën kontroll nga zjarrfikësit, zjarri u riaktvizua sërish në Tragjas, nga era, ndërsa flakët po djegin kreshtën e malit.