Arrest me burg ka dhënë gjykata e shkallës së parë Durrës për Denis Dodën administrator i kompanisë “Fish Co”, në kontenierin e së cilës u kap 7 kg kokainë. I arrestuari Denis Doda, ka mohuar të ketë dijeni apo të jetë i implikuar në trafikun e drogës, duke hedhur poshtë pretendimet e organit të akuzës.
Arresti me burg u kërkua nga prokurori i çështjes Ilir Turja, masë që u pranua nga gjykatësi i Durrësit, Vladimir Skënderi i cili vendosi masën shtrënguese arrest me burg për 35-vjeçarin.Zbulimi i drogës llojit kokaine erdhi pas sinjalizimit nga DEA amerikane, e cila kishte vendosur dhe GPS në kokainë. Kontejneri i ngarkuar me prodhime deti ishte nisur nga Ekuadori për llogari të firmës “Fish Co”, me qendër në Tiranë. Pakot e drogës ishin te fshehura ne pjesën e kapakëve të ventilimit.