Shiu dhe breshëri që përfshinë dje qarkun e Kukësit kanë ndihmuar në shuarjen e vatrave të zjarrit. Ilmi Lisha koordinator i Përgjithshëm i Prefekturës Kukës në një prononcim për media ka folur në lidhje me situatën aktuale të zjarreve në vend.
Lisha tha se në përgjithësi zjarret janë fikur, por në Lakun e Thive dhe në Lakun e Mollave ka disa mbetje zjarri, për të cilat po merr masat bashkia që të asgjësohet përfundimisht zjarri. Lisha tha se ende nuk kemi një bilanc përfundimtar të djegieve nga zjarri, por dëmet janë të konsiderueshme.
‘Në përgjithësi të gjitha zjarret janë fikur. Nga verifikimet që janë bërë në Lakun e Thive dhe Laku i Mollave ka disa mbetje zjarri, dhe po merren masat bashkia me forcat e veta për ta asgjësuar përfundimisht zjarrin. Bashkia ka çuar forcat për t’i izoluar. Nuk është e domosdoshme ndërhyrja nga ajri. Verifikimet vazhdojnë të bëhen, nuk kemi ende një bilanc përfundimtar, por besoj është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme.’- tha Lisha.
Ndërkohë shiu i rënë ditën e djeshme ka bërë të mundur shuarjen e dy vatrave të zjarrit në Thirrë dhe Munellë të Bashkisë Mirditë. Vetëm një vatër aktive ka mbetur në fshatin Patalej të Bashkisë Lezhë, teksa pritet ndërhyrja nga ajri për të fikur zjarrin. Zjarrfikësit, ushtria dhe shërbimi pyjor vijojnë të jenë në terren për monitorimin e situatës dhe shuarjen e vatrës aktive.
Referuar bilancit paraprak të zjarreve për qarkun e Lezhës, deri më tani rreth 150 hektarë shkurre e kullota janë përfshirë nga flakët, ndërsa 80 hektarë janë djegur plotësisht. Dëmet më të madhe llogariten në Thirrë dhe Munellë të Miditës.