TIRANË– Një ditë pasi Shqipëria dha “OK” zyrtarisht për të mirëpritur afganët, vendi ynë ka nisur përgatitjet për pritjen e mbi 300 personave fillimisht, sipas një marrëveshje të detajuar. Tirana dhe Durrësi do të jenë dy qytetet ku do të strehohet grupi i parë. Avioni i parë me afganë mund të mbërrijë mëngjesin e së martës në vendin tonë. Në Durrës do të strehohen në disa hotele, ndërsa në Tiranë do të vendosen tek konviktet e Qytetit Studentit. Studentëve u është kërkuar për t’u zhvendosur nga godina nr.2 dhe nr.4, të cilat janë përcaktuar fillimisht për vendosjen e afganëve, në godina të tjera, për të paktën tre javë. Studentëve u është thënë të lirojnë godinat brenda ditës së së nesërme.
Sipas burimeve të paktën 2 mijë afganë do të strehohen përkohësisht mes Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Shqipëria po përgatitet për të pasur në gadishmëri kapacitete për 1500 emigrantë. Referuar të njëjtave burime, Report Tv ka mësuar gjithashtu se jo çdo person do të lejohet të strehohet në Shqipëri, por sipas marrëveshjes është specifikuar që do të pranohen vetëm ata që kanë qenë bashkëpunëtorë të aleancës NATO-SHBA, ose gra aktiviste dhe intelektualë siç ka specifikuar dje kryeministri Edi Rama.
Shqipëria ditën e djeshme mori vendimin se do të strehojë disa qindra afganë që kanë punuar me strukturat amerikane dhe ato të institucioneve të tjera ndërkombëtare në vendin e tyre, pas kërkesës së bërë nga Shtetet e Bashkuara. Kreu i qeverisë, Edi Rama tha se vendi ynë do të shërbejë si tranzit për një numër të caktuar emigrantësh politikë afganë, të cilët destinacion final kanë Shtetet e Bashkuara. Ende pa ardhur kërkesa e qeverisë amerikane, Rama tha se kanë mikpritur kërkesa për të vlerësuar strehimin e përkohshëm në Shqipëri të disa qindra personave, nga rrethet intelektuale dhe të grave aktiviste afgane, të cilët janë nga të parët në listat e ekzekutimeve të barbarëve të Afganistanit. Pas Shqipërisë, edhe Kosova ka dhënë dritën jeshile për të pritur afganët, e ndërsa një vendim i tillë është pritur pozitivisht nga ndërkombëtarët, të cilët kanë vlerësuar vendin tonë si një vend i denjë aleat i NATO-s dhe SHBA-së.
Organizata Ndërkombëtare e Migracionit dhe një tjetër organizatë e njohur pritet të kryejnë operacionin, ndërsa ardhja e tyre në vendin tonë do të bëhet me avion ushtarak amerikanë. Tani që talebanët morën pushtetin në Afganistan, jeta e tyre rrezikohet, e për këtë arsye NATO dhe SHBA po marrin përsipër strehimin e tyre në disa vende të ndryshme, pjesë e së cilës është edhe vendi ynë. Shumë afganë që kanë punuar me forcat e huaja kanë frikë nga hakmarrja e militantëve talibanë për shkak të punës së tyre. Departamenti amerikan i Shtetit ka shpallur një program të ri i cili u mundëson mijëra afganëve mundësinë të zhvendosen si refugjatë në SHBA. Mijëra afganë që do të jenë pjesë e këtij programi.
Kjo nuk është hera e parë që Shqipëria bëhet mikpritëse e njerëzve që përndiqen nga regjime totalitare, sic ka ndodhur vite më parë me qindra muxhahedinë që strehohen në një kamp në afërsi të Manzës.