Qyteti i Shijakut prej ditësh është mbuluar nga mbeturinat ndërsa nga autoritetet lokale nuk është marrë asnjë masë. Në temperaturat e larta të këtyre ditëve, mbeturinat janë dekompozuar dhe shkaktojnë erë të padurueshme.
Sipas qytetarëve, plehrat nuk janë marrë nga kazanët prej datës 17 gusht.
Ndërkohë kryetari i bashkisë tha se bashkia e Shijakut nuk ka një marrëveshje me landfillin e Sharrës, pasi ka mbaruar afati. Për të krijuar një marrëveshje të re ka disa procedura që marrin kohë dhe duan ditë, tha ai.
Nga ana tjetër burime nga landfilli i Sharrës deklarojnë se marrëveshja nuk është firmosur nga bashkia. Për 10 ditë madje Sharra i ka pranuar mbeturinat falas. Pra, sipas tyre shkak është bashkia e Shijakut që nuk ka firmosur marrëveshjen dhe situata me plehrat ka agravuar.