TIRANË– Sali Berisha ka sfiduar hapur Lulzim Bashën, duke thënë se ai vijon të jetë anëtar i grupit parlamentar të PD-së dhe se në selinë blu, ai mund të futet kur të dojë.
Sot ai i ka dërguar një mesazh të fortë sot Lulzim Bashës, që mbështetja për të në Partinë Demokratike vijon të jetë e njëjtë, siç atëherë kur e ka lënë drejtimin e saj. Dhjetëra simpatizantë u mblodhën sot në hyrje të Kuvendit, duke i hedhur lule në makinën e tij dhe thirrur në grup “Lulzim Basha, tradhtar” dhe “Poshtë Amerika”.
Berisha doli nga makina dhe me dy gishtat lart, para simpatizantëve tha se përjashtimi i tij është një pazar i turpshëm i Lulzim Bashës dhe Edi Ramës, por shprehet i bindur se nga kjo betejë do të dalë më fortë. Krah tij, Berisha kishte Flamur Nokën, Edmond Spahon, Tritan Shehun dhe Edi Palokën, nënkryetari e PD-së, të cilët kanë dalë hapur kundër vendimit të Lulzim Bashës, për ta përjashtuar ish-kryeministrin nga grupi parlamentar i PD-së.
Ndërkohë, Lulzim Basha pas 2 viteve e gjysmë jashtë u rikthye sot në Kuvend, por rruga që ndoqi, ishte e ndryshme nga ajo që ka bërë në legjislaturat e kaluara. Ai zgjodhi rrugën nga Kalaja e Tiranës dhe jo nga xhamia, kjo për të shmangur simpatizantët e Sali Berishës që ishin pozicionuar në hyrje të Kuvendit.