TIRANË– Ish-kryeministri Sali Berisha ka ndarë dhe një herë momentin kur flet përballë gazetarëve teksa ndodhej në hyrje të Kuvendit. Ai u shpreh se Rama mund të blejë dhe të shesë Bashën, por kurrë Partinë Demokratike dhe demokratët shqiptarë. Kjo deklaratë është shpërndarë masivisht në rrjet e mesa duket Berisha e ka pëlqyer kaq shumë videon që iu është bërë nga ndjekësit saqë e ka ndarë dhe ai vetë në rrjetin e tij social ‘Facebook’.
“Mund të blesh dhe të shesësh Edi Rama, Lulzim Bashën. Por, kurrë Partinë Demokratike dhe demokratët shqiptarë. Kjo është përfundimtare. Je i pashpresë”, shprehet ish-kryeministri Berisha.
Të enjten, Lulzim Basha njoftoi se me një vendim të tijin ka vendosur përjashtimin nga grupi parlamentar të ish-kryeministrit Sali Berisha. Vendimi sipas Bashës është personal ndërsa theksoi se është në fuqi deri në përfundimin e procesit gjyqësor që vetë Berisha ka hapur kundër sekretarit amerikan të shtetit, Anthony Blinken. Ish-kryeministri Sali Berisha kundërshtoi vendimin që e quajti ‘nul’ ndërsa e akuzoi Bashën se ka dorëzuar sovranitetin e PD pasi ka rënë pre e kërcënimeve.