TIRANË– Partia Demokratike nuk zë mend nga bojkoti. Edhe pse u rikthyer në ulëset e Kuvendit pas 2 vite e gjysmë mungesë duke dalë jashtë sistemit, PD ende vijon me zakonet e vjetra, ku edhe në seancën e sotme ka bojkotuar votimin në parlament të kryetarëve të Komisioneve Parlamentare. ‘Mollë sherri’ për këtë u bë LSI, e cila pas prezantimit të emrave të kryetarëve, nënkryetarëve dhe anëtarëve të komisioneve parlamentare nga PD dhe PS, kërkoi më shumë kohë që dhe ajo të paraqiste emrat e saj për përfaqësuesit në këto komisione. Kjo kërkesë u mbështet nga PS, ku kreu i grupit parlamentar Taulant Balla tha se sot të votoheshin vetëm kryetarët e komisioneve dhe nënkryetarëve që më pas të mblidhej dhe Konferenca e Kryetarëve dhe më pas në një seancë tjetër të votohej për përbërjen e komisioneve.
Balla madje i kërkoi nga PD bashkëpunim në këtë pikë, ndërsa tha se duhet të diskutohej që të mund të pasqyrohej edhe kërkesa e LSI që të mos mbetej e papërfaqësuar dhe për gjendej një zgjidhje që opozita në komisione të mos dilte me më shumë anëtarë se vetë mazhoranca.
“Mos bëj dërr-dërr, po mbylle si procedurë aty,” është shprehur Basha i revoltuar ndaj Ballës.
“E ke nisur seancën plenare duke shkelur rregulloren. Ke miratuar rendin e ditës dhe merr urdhra si ushtare nga dikush që s’duhet të ishte në këtë sallë. Je një manekinë që merr urdhra nga dikush që nuk duhet të ishte këtu. Me çfarë pushteti e miraton rendin e ditës. Kështu është kur vendos drejtuese një si ty. Turp të vijë”, iu drejtua Basha, Nikollës nga ulja e Kuvendit pa mikrofon.
Më pas PD së bashku me aleatët është larguar pa votuar nga Kuvendi dhe ajo që bëri edhe më shumë habi ishte se pjesë e bojkotit u bë edhe Sali Berisha, i cili u largua menjëherë. Por në sallë qëndroi LSI, e cila për herë të dytë mbajti një qëndrim të kundërt me PD, ku në seancën e parë nuk pranoi të grisë fletët e votimit për kryetaren e Kuvendit siç bënë demokratët. Kjo tregoi edhe njëherë që rrugët mes PD dhe LSI janë ndarë përfundimisht.
Pas largimit në Kuvend u miratuan vetëm kryetarët dhe nënkryetarët e Komisioneve parlamentare dhe anëtarët e saj do të miratohen në seancën e radhës
Pas daljes nga seanca, Sali Berisha ka dorëzuar në Kuvend kërkesën duke thënë se ai është ‘pjesë e grupit parlamentar të PD”. Një kërkesë e habitshme kjo e Berishë, pasi ai është përjashtuar nga ky grup parlamentar para disa ditësh për shkaka të kërkesë së SHBA pas shpalljes së tij ‘non grata’. Madje në seancën e sotme, kryetarja e Kuvendit Lindi Nikolla konfirmoi edhe grupet parlamentare:
1- Grupi i PS do përbëhet me 74 deputetë, kryetar Taulant Balla
2- Grupi i PD me 44 deputetë, kryetar Alfred Rushaj
3-Grupi Parlamentar i Aleancës për Ndryshim do ketë 7 deputetë, kryetar Fatmir Mediun
4-Grupi Parlamentar i Demokraci dhe Integrim do ketë 7 deputetë, kryetare Mesila Doda
PDIU dhe aleatët u ndihmuan me deputetë ‘borxh’ nga Basha, ndërsa Berisha mbeti zyrtarisht jashtë grupit parlamentar të PD-së. Edhe LSI mbeti pa grup parlamentar pasi ka vetëm 4 deputet nga 7 që duhet të ketë një grup.
Kuvendi miratoi sot edhe drejtuesit e Komisioneve të Përhershme Parlamentare.
Nasip Naço kreu i Komisionit të Sigurisë (PS)
Mimi Kodheli kryetare e Komisionit të Jashtëm (PS)
Eduard Shalsi, kryetar i Komisionit të Ekonomisë (PS)
Arben Pëllumbi, kryetar i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese (PS)
Klotilda Bushka kryetare e Komisionit për çështjet ligjore (PS)
Jorida Tabaku, kryetare e Komisionit për Integrimin Europian (PD)
Albana Vokshi, kryetare e Komisionit për Shëndetësinë (PD)
Agron Gjekmarkaj, kryetar i Komisionit për Edukimin dhe Median (PD)