Prej më shumë se një ore, Kryeministri Rama është duke prezantuar sot në Kuvend programin qeverisës për 4 vitet në vijim, por edhe përbërjen e kabinetit të ri qeveritar. Në fillim të fjalës së tij Rama kishte disa mesazhe të forta politike. Ai nuk e fshehu krenarinë për faktin se qeveria e re që pritet të votohet do e rendisë Shqipërinë në vendin e parë në botë për numrin e lartë të grave në qeveri. Rama u bëri thirrje të gjitha deputetëve në Kuvend që të bëhen një zë i fuqishëm në betejën e fuqizimit të vajzave dhe grave.
Teksa i shtriu dorën e bashkëpunimit ia bëri të qartë vijat e kuqe.
“Ta keni të qartë me urdhra dhe kërcënime me ne nuk keni përfituar asnjëherë dhe asnjëherë nuk keni për të përfituar. PS nuk do të pranojë më asnjë përfaqësues të huaj për të zgjidhur krizat institucionale dhe politike. Ata krijohen nga ne dhe ndaj duhet të zgjidhen vetëm nga ne dhe ju”, tha ai.
Seanca plenare, e cila mund të zgjasë në një afat të pacaktuar, pritet që të karakterizohet nga një debat mbi programin politik. Mbi programin e qeverisë në orën 13:00 priten përgjigjet e pyetjeve nga kryeministri dhe anëtarët e Këshillit të Ministrave.