TIRANË– Kuvendi mblidhet ditën e sotme për të zhvilluar një seancë maratonë që pritet që të nisë që në orën 10:00, për të vijuar më pas me “intervistën” maratonë.
140 deputetët e zgjedhur do të kërkojnë të dijnë detaje nga çdo pikë e planit që kryeministri Edi Rama ka hartuar për të qeverisur vendin në 4 vitet e ardhshme. Seanca e sotme do të përbëhet nga tre pjesë, ku Rama do të marrë fjalën i pari për të prezantuar për më shumë se 4 orë çdo pikë të programit. Më pas, do të jepet koha që kreu i qeverisë të përballet me pyetjet. Pasi pyetjet të kenë mbaruar, në Kuvend do të ketë kohë për debat të lirë, në mënyrë që të bëhet votimi për përbërjen e këshillit të ministrave apo të programit të qeverisë.
RENDI I DITËS:
1.Miratimi i procesverbalit të seancës plenare datë 13.09.2021. (Neni 44, pika 2 e Rregullores)
2. Njoftime. (Neni 44, pika 3 e Rregullores)
3. Projektvendim “Për miratimin e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave”. (Neni 97, Kushtetutë, neni 110 Rregullore Kuvendi, votim sipas nenit 58 të Rregullores)
– Përgjigjet e pyetjeve nga Kryeministri dhe anëtarët e Këshillit të Ministrave sipas nenit 110, pika 3 të Rregullores, ora 13:00
– Debati mbi programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave sipas nenit 110, pika 4 të Rregullores, ora 16:00 (Referuar kohës së debatit të përcaktuar në Konferencën e Kryetarëve) Hapja e debatit
– Koha e votimit
Kreu i qeverisë Rama dhe ministrat e tij do të duhet që të marrin votëbesimin në Kuvend, për t’u betuar më pas tek Presidenti, i cili duket se është gati të pranojë betimet e të zgjedhurve pasi u sigurua që asnjë nuk është nën hetim. Partia Socialiste ka 74 mandate të fituara nga zgjedhjet e 25 prillit, kundrejt 59 që ka fituar Partia Demokratike, ndërsa pjesa e mbetur nga 140 deputetë është ndarë mes 4 përfaqësuesëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe 3 të tjerëve nga Partia Social Demokrate.