TIRANË– Edi Rama ka marrë votëbesimin e parlamentit për të nisur punën me mandatin e tretë qeverisës. Me 77 vota pro, 53 kundër dhe 1 abstenim është miratuar qeveria e re dhe programi qeverisës për katër vitet e ardhshme. Rama ia bëri të qartë opozitës se e kanë të shtrirë dorën e bashkëpunimit, megjithatë ia bëri të qartë që për reforma të rëndësishme, si ajo territoriale apo zgjedhore nuk do kenë disponimin e opozitës, por atëherë ata do të zbresin në terren me popullin, teksa u ka dhënë edhe një këshillë, që të mos i lënë diskutimet për minutë të fundit.
“Ato që janë të parealizueshme me opozitën, do i ndjekim me popullin, që të zbresim në popull për reformën territoriale apo zgjedhore, por nëse duan që të kemi diskutim dhe nëse duan që ta synojnë realizimin e këtyre synimeve duhet të flasim, dhe jo të bëjmë gabimin që i kanë lënë gjërat në fund”, tha Rama, teksa siguroi se programi politik i prezantuar do të zbatohet 100%, sigurisht nëse nuk do të dalin të papritura siç ndodhi me tërmetin dhe pandemisë së COVID.
Seanca plenare maratonë e nisur ditën e djeshme në orën 10:00 ka përfunduar mëngjesin e sotëm në orën 06.37. Pas prezantimit të programit qeverisës nga Kryeministri Rama, ministrat e tij i janë përgjigjur pyetjeve të deputetëve për projektet e bëra publike, ndërsa seanca vijoi me debatet mbi programin. Në fokus të programit ishte rritja e pagave e të pensioneve, investimet në infrastrukturë, por dhe fuqizimi i rolit të gruas, në seancën që u ndoq dhe nga bashkëshortja e kryeministrit Linda Rama.
Kjo seancë maratonë është ndërprerë 2 herë pas kërkesës së opozitës, kjo sepse kryedemokrati Lulzim Basha refuzoi që të fliste pa qenë kryeministri në Kuvend, që pas insistimit të tyre duke bllokuar edhe foltoren me deputetin Enkelejd Alibeaj, Rama erdhi pas 2 orësh. Me ardhjen e kryeministrit në seancë opozita ka nisur debatet me Lulzim Bashën, i cili hodhi sërish akuza të përsëritura ndaj qeverisë, duke e quajtur Ramën “ekzekutor të zgjedhjeve” dhe “vrasës i demokracisë”. Sa i përket programit qeverisës kryedemokrati deklaroi se nuk mund të quhet i tillë, pasi sipas tij, i vetmi program që ka PS është vijimi i plaçkitjes. Mirëpo kjo akuzë mori një përgjigje nga kryeministri, i cili nuk nguroi që ta ngacmonte sa i përkret zhvillimeve që janë regjistruar së fundmi në PD-në. Kjo edhe për faktin se gjatë kohës që Lulzim Basha fliste në Kuvend, nga ana tjetër ish-kryeministri Sali Berisha, i shpallur ‘Non Grata’, po zhvillonte takimin e tij të parë më anëtarët e demokratëve në hotel ‘Rogner’ për të kundërshtuar përjashtimin e tij nga grupi parlamentar dhe largimin e Bashës nga drejtimi i partisë.
“Sinqerisht si mund të vihet të flitet në emër të opozitës në këtë moment që ju e quajtët shumë të rëndësishëm me një fjalim që 3 çereku është copy paste nga fjalimet e fushatës pastaj disa pjesë nëpër të që janë përsëritje që mund të jetë shkak i stresit. Ke boll kumrie kështu që këtu ndalem”, i tha Rama më herët.
Tashmë me votëbesimin nga Kuvendi, kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat do të betohen nesër para Presidentit, të cilin e shkarkuan vetëm pak muaj më parë. Partia Socialiste nën drejtimin e Edi Ramës është futur në historinë e Shqipërisë, duke marrë një mandat të tretë radhazi, e duke u bërë kështu partia e parë që ka arritur ta sigurojë këtë rezultat në historikun e zgjedhjeve në vend. Socialistët kanë arritur që të marrin 74 mandate, të mjaftueshme për të qeverisur e vetme, pa pasur nevojën e një koalicioni, e ndërsa PD 59 mandate, kurse LSI vetëm 4 të tilla.
Emrat e ministrave të qeverisë ‘Rama 3’
- Kryeministër – Edi Rama
- Zëvendëskryeministër (do mbikëqyrë edhe rindërtimin) – Arben Ahmetaj
- Ministre për Europën dhe Punëte Jashtme – Olta Xhacka
- Ministër i Mbrojtjes – Niko Peleshi
- Ministër i Drejtësisë – Ulsi Manja
- Ministër i Punëve tëBrendshme – Bledi Çuçi
- Ministre e Financave dhe Ekonomisë – Delina Ibrahimi
- Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë- Belinda Balluku
- Ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale – Ogerta Manastirliu
- Ministre e Arsimit dhe Sportit – Evis Kushi
- Ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural- Frida Krifca
- Ministre e Kulturës Elva Margariti
- Ministre e Mjedisit dhe Turizmit, – Mirela Kumbaro
4 ministra shteti
- Elisa Spiropali për Marrëdhëniet me Parlamentin
- Edona Bilalli ministre shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes
- Bora Muzhaqi ministre Shteti për Rininë dhe Fëmijët
- Milva Ekonomi, ministre Shteti për Standardet e Shërbimeve
Kryetare e Parlamentit
Lindita Nikolla