Pas ngjarjes tragjike në Fier ku burri vrau ish bashkëshorten, një tjetër rast i rëndë është shënuar në Divjakë. Hekuran Rrasa, 58 vjeç, ka vrarë me armë gjahu në banesë gruan e tij Fëllënxë Rrasa, 45 vjeçe dhe më pas ka vrarë dhe veten. Ngjarja është shënuar në fshatin Babunjë të Divjakës.
Të shtënat e armës fillimisht janë dëgjuar nga fqinjët përreth dhe kanë lajmëruar vëllain e madh të Hekuran Rrasës, që banonte aty afër. Pas kësaj, ai ka marrë nipin në telefon, i cili kishte dalë në fshat. Vëllai i autorit i ka thënë nipit të vij menjëherë të kalojë nga shtëpia. Kur djali ka mbërritur në banesë ka konstatuar të vdekur të dy prindërit.
Sipas vëllait të autorit, Hekuran Rrasa e ka pasur armën me leje prej vitesh. Debatet që vinin si pasojë e gjendjes së rëndë ekonomike, mendohet se mund të jenë shkaqet që mund të kenë çuar në këtë akt të rëndë.
Burime nga Policia thonë se gjatë ditës së sotme nuk ka pasur asnjë konflikt të jetë raportuar mes bashkëshortëve dhe se nuk ka pasur nga 45-vjeçarja asnjë denoncim për dhunë në polici dhe nuk ka pasur urdhër mbrojtje për të. Efektivët kanë sekuestruar armën e gjakut dhe vijojnë hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Pak ditë më parë një ngjarje e tillë u regjistrua edhe në Zhupan të Fierit, ku 23-vjeçarja Sabrina Bengaj u vra nga ish-burri i saj Elton Meta, duke lënë pas një fëmijë të vogël. Rasti i Sabrinës ishte një rast i paralajmëruar pasi nëse drejtësia do të kishte funksionuar siç duhej sot ajo do të ishte gjallë. Në shtator të vitit 2020, 31-vjeçari Meta, me kallashnikov në duar, shkoi në shtëpinë e ish-bashkëshortes duke kërcënuar se do të vriste veten e duke terrorizuar atë dhe familjen, por pavarësisht kësaj, ai ia hodhi lehë, duke qëndruar vetëm 6 muaj në spitalin e burgut të Zaharisë.