Merr fund misteri mbi zhdukjen në Shqipëri të biznesmenit italian Davide Pecorelli, e ndryshe nga çfarë dyshohej, ai është gjetur i gjallë në ishullin Elba në Toskana. Automjeti që ai kishte marrë me qira u gjet i djegur në Pukë në janar të këtij viti, brenda ishte edhe një trup i djegur, por nuk u konfirmua se i përkiste Pecorellit. Ndërkohë ky i fundit u gjet mbrëmjen e djeshme në ishullin Elba në Toskana të Italisë, në një gomone.
Ai ka dhënë deklarimet në polici, e më pas u la i lirë, por nuk dihen ende arsyet se përse ai inskenoi të gjithë ngjarjen. Mësohet se Pecorelli kishte ndryshuar edhe pamjen e jashtme, në mënyrë që të mos identifikohej në Itali. Paraprakisht dyshohet se ai krijoi këtë skemë për të fituar siguracionet.
Nga Shqipëria ai u largua në mënyrë ilegale nga Hani i Hotit për të shkuar më pas drejt Italisë, dhe në këtë skemë mashtrimi dyshohet se është ndihmuar edhe nga shqiptarë, kundrejt pagesës. Për të mos u identifikuar, Pecorelli kishte ndryshuar edhe pamjen e jashtme.
Ai është shprehur i gatshëm të japë dëshminë e tij në prokurorinë e Perugia, për të sqaruar të gjitha detajet e ngjarjes. Ndërkohë në Shqipëri dhe Itali tashmë janë pushuar hetimet për vrasje dhe Pecorelli do të hetohet për “Mashtrim”.
Ndërkohë, mbetjet kockore të gjetur në automjetin e djegur rezultojnë se janë mbetje kockore të në njeri, dhe dyshohet se janë marrë në një varrë të vjetër në zonë. Mbetjet e gjetura kockore janë dërguar në Itali për t’u ekzaminuar.