I prerë ka qenë Rama me ministrat e kabinetit të ri, ku tha se ai e as PS nuk do t’i dalin në mbrojtje askush që do të shkelë në “dërrasë të kalbur”, duke nënkuptuar veprime që bien në kundërshtim me ligjim.
Ai u shpreh se së shpejti në faqen e re online të qeverisë do të ketë një rubrikë të dedikuar për informimin e publikut dhe se ata zyrtarë që nuk do të thonë të vërtetën do të mbajnë përgjegjësi morale, por edhe ligjore nëse do të jetë nevoja.
“Qeveria e re do të ketë në funksion të plotë në pak ditë një faqe të re online ku do të ketë një rubrikë të dedikuar për informimin e publikut për çdo akuzë. Në atë rubrikë secili prej ministrave do të përgjigjet me shkrim dhe do të mbajë përgjegjësi për informacionin. Kush nuk do të thotë të vërtetën do të marrë përgjegjësitë morale dhe ligjore nëse nuk do të thotë të vërtetën. Ministër nuk bëhesh vetë, të bën kryeministri, por vendin duhet ta mbash vetë. Kush shkel në dërrasë të kalbur pune ka me organet ligjzbatuese, jo me mua e as me qeverinë. As mua as PS nuk do ta ketë mbrapa askush që hedh qoftë edhe një hap jashtë ligjit. Ju kërkoj t’i mbani larg familjet nga dyert e shtetit, dhe nga fondet publike”, tha Rama.
Asnjë përgjigje opozitës në debatet me formatin e vjetër. Ky ishte premtimi i Kryeministrit Rama në mbledhjen e para të Qeverisë.
“Ne nuk do t’i përgjigjemi me formatin e vjetër opozitës. Është një format që e ka derdhur me kohë kupën e durimit të publikut. Politika është e vetmja mundësi që njerëzit të bëjnë gjërat që të vetmuar si bëjnë dot. Kemi 4 vite kohë për të bërë gjëra që s’janë bërë kurrë më parë ndaj s’kemi kohë për të humbur me opozitën ‘e lagu se lagu'”, tha ai.
Rama tha se në marrëdhënien me Kuvendin duhet treguar më shume respekt.
“Qeveria buron nga Parlamenti dhe jo e kundërta. Prania juaj në komisionet parlamentare nuk duhet të vihet në diskutim, përveçse në raste ekstreme dhe duke u dakordësuar me kreun e grupit parlamentar. Vetëm për arsye pune nuk duhet të vihet në diskutim prania juaj në hapjet seancave të Kuvendit. Ky është minimumi etik në marrëdhëniet qeveri-parlament”, vijoi ai.
Kryeministri Rama foli edhe një herë për domosdoshmërinë e mbështetjes së profesionistëve të rinj.
“Ta mbajmë derën hapur për çdo shqiptar të shkolluar dhe profesionist. Duhet të angazhoheni ju personalisht. Pandemia na ka mësuar gjëra të mëdha”, tha Rama.
Për Kryeministrin Rama nuk ka asnjë kuptim që një anëtar i Qeverisë të kundërshtojë në dikutimet në Kuvend ligjet e miratuara më parë në Këshillin e Ministrave.
“Në procesin e diskutimeve në Kuvend është absurde që një ministër të kundërshtojë ligjin e qeverisë se medemek dëmton sektorin që ai mbulon. Ka vetëm një sektor, dhe ky sektor është Shqipëria”, tha Rama.
Në mbledhjen e parë të qeverisë së re, kryeministri Edi Rama tha se të gjitha dhuratat protokollare do të inventarizohen. Para ministrave ai u shpreh se dhuratat e delegacioneve apo të individëve, nëse kalojnë një vlerë të caktuar, ose do të shërbejnë për dekor në zyrat e ministrave, ose do të dorëzohen në muzeun e dhuratave protokollare. Sipas Ramës, populli shqiptar nuk i ka borxh kapadaillëkun shefave të lloj-llojshëm.
“Kryeministria ka një magazinë ku ruhen të gjitha dhuratat, pavarësisht vlerës së tyre monetare. Deri në 2013 nuk u la në këtë godinë asnjë dhuratë protokollare, madje kanë marrë edhe plot gjëra nga ato që kanë gjetur këtu, piktura, ambazhurë, karrige, pjata, pirunj, filxhanë e me radhë. Detyrimi për t’i inventarizuar dhuratat të delegacioneve të çfardo natyre apo ato të individëve që kalojnë një vlerë të caktuar monetare, ose duhet të qëndrojnë si pjesë e dekorit të zyrës tuaj ose duhen dorëzuar në muzeun e dhuratave protokollare. Duken gjëra të vogla, por këto janë norma që janë zbatuar në çdo shtet. Kodet do të vlejnë edhe për ministrat. Ky popull nuk i ka borxh asnjë përfaqësuesi të lartë të administratës shtetëror kapadajllëkun publik të shefave të lloj-llojshëm në territor. Çdo komunikim publik duhet të kryhet në koordinim me kryeministrinë. Na kanë vrarë sytë disa raste të patolerueshme drejtorësh që organizojnë mbrëmje dëfrimi me kolektivin, por nuk mund të organizohen me fondet e drejtorive”, tha Rama.
Rama paralajmëroi zero tolerancë dhe se kush përsërit shkelje do të duhet të hapë dorëheqjen.
“Nëse nuk respekton një prej këtyre pikave ministri përgjegjës duhet të kërkojë ndjesë, në rast përsëritje duhet të japë dorëheqjen. Kjo vlen edhe për mua, se kam pasur problem ta respektoj 8 vite nuk do ta kem që ta respektoj edhe 4 të tjera .
Asnjë anëtar i qeverisë nuk duhet të udhëtojë në biznes class, pushimet jashtë vendit, jo darka në restorante kur janë në punë në Tiranë. Do të përcaktohen shprehimisht të gjitha detajet për të gjitha këto çështje. Duhet përcaktuar se bashkëshortët dhe fëmijët e anëtarëve të kabinetit nuk mund të përdorin sallën vip të aeroportit përveçse kur janë me ministrat. E njëjta gjë vlen edhe për përdorimin e makinave zyrtare”, tha Rama.