Salih Mustafa, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i akuzuar për krime lufte, do të dalë sot rreth orës 09:30 para Gjykatës Speciale në Hagë. Edhe pse u arrestua në shtator të vitit të kaluar, pra prej më shumë se një viti, gjykimi ndaj Mustafës nisi vetëm pak ditë më parë me seancën e parë që të gjykimit më 15 shtator.
Në këtë seancë u bë e ditur se trupi gjykues do të dëgjojë dëshminë e dy dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar nga data 20 shtator deri të martën 28 shtator 2021.
Jack Smith, prokuror i Specializuar ka zbuluar në fjalën e tij hyrëse në seancën e kaluar se Salih Mustafa akuzohet se ka vrarë shqiptarë. A argumentoi gjithashtu se viktimat që ishin mbajtur në një qendër ndalimi në Zllash, ishin cilësuar si kolaboracionistë në luftë.
Ndërkaq, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa u deklarua i pafajshëm për akuzat për krime lufte. Për akuzat ndaj tij, Mustafa edhe më herët është deklaruar i pafajshëm.
Ky është gjykimi i parë që nis në Dhomat e Specializuara në Hagë, që njihen ndryshe edhe si Gjykata Speciale.
Aktakuza kundër Mustafës për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme është konfirmuar në qershor të vitit të kaluar. Ai ishte arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 dhe që nga ajo kohë gjendet në paraburgim në Hagë të Holandës.
Krimet për të cilat akuzohet Mustafa, sipas aktakuzës, dyshohet se janë kryer gjatë muajit prill të vitit 1999 në një qendër ndalimi në fshatin Zllash që ndodhet në rrethinën e Komunës së Prishtinës.
Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, gjithashtu i njohur si ‘komandant Cali’, ishte komandant i njësitit gueril BIA (‘njësiti BIA’), njësit brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.