SERBI – Marko Djuriç, ambasadori i Serbisë në shtetet e Bashkuara të Amerikës ka reguar ditën e sotme lidhur me vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për reciprocitetin e targave.
Djuriç ka thënë se vendimi i Kurtit do të sjellë destabilizim në rajon dhe pasojat mund të jenë fatale. Ai e ka kërcënuar Kurtin duke kërkuar të mos luajë me zjarrin para se të jetë shumë vonë.
“Regjimi i Kurtit në Kosovë po e shtyn rajonin në prag të gjakderdhjes. Dërgimi i forcave speciale të armatosura rëndë në zonat me shumicë serbe vetëm për të marrë pikë të lira politike në garën për zgjedhjet lokale të 17 tetorit është kërcënuese për jetën dhe shkel të gjitha marrëveshjet. Ju lutemi ndaloni të luani me zjarrin para se të jetë vonë”, ka shkruar ambasadori serb në rrjetin social Twitter.
Djuriç nuk është ndalur me kaq por ka akuzuar Kurtin se po përdor armatime të vjedhura për të trembur popullsinë serbe.
“Në vend që të angazhohet në një dialog konstruktiv me Beogradin dhe të punojmë së bashku drejt një të ardhmeje normale për rajonin, qeveria në Prishtinë po përdor AK47 të vjedhur dhe APC të dhuruar për ta frikësuar popullsinë e saj serbe. Duhet t’ju vijë turp nga vetja, z. Kurti”, ka përfunduar ai.