Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli ka bërë me dije se nuk do të ketë ndryshim të masave anti-COVID, Sipas Rakacollit, të dhënat tregojnë e situata është e qëndrueshme dhe se për këtë do të vijojë zbatimi i masave që janë në fuqi.
“Situata mbetet këtë javë relativisht e qëndrueshme, për këtë nuk do të ketë ndryshim të masave në fuqi. Ora policore nga ora 22 deri në 6 të mëngjesit. Përdorimi maskave do të vijojë i detyrueshëm aty ku e kemi rekomanduar. Do vijojë të mos lejohet grumbullimi i më shumë se 50 veta, për aktivitete sportive e kulturore do organizohen në kapacitete jo më shumë se 30 e ambienteve dhe duke zbatuar protokollet e rekomanduara. Do vijojë njësoj rregulli i hyrjes në vendin tonë. Do të kërkohet prova e vaksinimit, kush nuk ka certifikatë vaksinimi, duhet të paraqesin provën e kalimit të sëmundjes brenda 180 ditëve, apo testin që janë të negativizuar. Ata që nuk kanë asnjë nga këto dokumenta është në fuqi vendimi për vetëkarantimin për 10 ditë”, tha Rakacolli.
Gjirokastra është bashkia me më shumë të vaksinuar në vendin tonë, për t’u ndjekur nga ajo e Delvinës dhe Puka e Tropoja në veri të vendit. Komiteti Teknik i Ekspertëve është mbledhur ditën e sotme ku ka bërë me dije se ka pasur një rritje të rasteve aktive në vendin tonë, e për rrjedhojë është rritur edhe numri i Bashkive të prekura nga COVID, më konkretisht 51! Në total 33% e popullsisë shqiptare është vaksinuar me dy doza, teksa Shefja e Epidemiologjisë së ISHP-së, Silva Bino thotë se nuk ka asnjë vaksinë të humbur.
Dhimitër Kraja ka bërë me dije se ka një rritje të numrit të grave shtatzëna që po preken rëndë nga COVID, e ndërsa të shtruar në spital ka edhe 19-vjeçar.
“Në 2 spitalet COVID ka 230 pacientë, kapaciteti është ende i disponueshme se 30% e mundësive të shtrimit është i lirë ende, të sëmurët vijnë kryesisht nga Tirana, Durrësi, Elbasani, por edhe nga rrethet. Ka 19-89 vjeç, por mbizotëron 65 vjeçare, ka më shumë raste të grave shtatzëna që vijnë me COVID, që kanë forma të rënda. Pjesa më e madhe e të shtruarve të pavaksinuar. Ka fatalitete nga rastet e vaksinuara, por janë shumë të pakt. 5.1 ose 5.4 raste në ditë”, tha Dhimitër Kraja.